Në mungesë kuorumi ka dështuar shqyrtimi i peticionit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online. Ky dështim erdh si rezultat i mungesës së deputetëve të mazhorancës të cilët nuk morën pjesë në mbledhjen e këtij Komisioni.
Kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, vendosi që pavarësisht mungesës se kuorumit t’i dëgjojnë përfaqësuesit e Sindikatës sё Policisë sё Kosovës në lidhje arsyet organizimit të këtij peticioni.
Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovë para deputetëve të pranishëm ka listuar kërkesat e renditura në peticion, duke theksuar nevojën për sigurime shëndetësore dhe shtesat për rrezikshmëri.
Ai ka thënë se prej kur ka hyrë në fuqi Ligji i ri i pagave, policët nuk kanë marrë shtesa për rrezikshmëri. Zeqiri shtoi se kanë pasur vërejtje edhe sa i përket koeficienteve që janë caktuar në ligjin e pagave për stafin civil edhe të uniformuar.
“Ai është nënshkruar nga 63 për qind e pjesëtarëve, apo 5623 nënshkrime, pjesa tjetër nuk e ka nënshkruar për arsye operacionale. Zyrtari policor i Kosovës kur del në pension merr vetëm pension të pleqërisë. Jemi policia me moshën më të shtyrë”.
Avni Hoti, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës tha se përfaqëson të gjithë kolegët e tij dhe se kërkesat e tyre janë të arsyeshme.
“Dy ngjarjet e djeshit, njëra ne parlament e tjetra në konferencë për shtyp, më kanë shty me ardh këtu sot, dy tabore që luftojnë njëra tjetrën. Luftën kryesore, kauzën kryesore e kanë Policinë e Kosovës, këta njerëz qe sa vjet pas lufte nuk i zgjodhën problemet e policëve, as pozita e as opozita”.
“Ju kisha lutë mos e boni kauzë Policinë e Kosovës. Nuk kemi tjetër partner social përveç Qeverisë së Kosovës. Me disa gjana po na dëmtoni, mos na përdorni. Lutje publike nga gjithë policët e Kosovës zgjidhni problemet tona”, tha ai, raporton EO.
“Kur një polic i Kosovës është gjetur i vrarë, në gjep i ka pas vetëm 1.70 cent, të gjithë janë në kredi, në gjysmë të muajit ata nuk e kanë asnjë cent në llogari, me paga të vogla, pa shujta, pa shtesa të rrezikshmërisë e pa sigurime shëndetësore”, tha ai.
Në mbledhje ishin deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, Marigona Geci nga LDK dhe Albana Bytyqi nga AAK.
Kurse pesë deputetët e grupi parlamentar të LVV-së, Arjeta Fejza, Fatmire Kollçaku, Labinotë Demi, Drita Millaku, Nasuf Bejta munguan në mbledhje të Komisionit.
