Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka quajtur buxhet të varfërisë dhe zhgënjimit, buxhetin e vitit 2024, teksa kritikuan edhe përqindjen për investimet kapitale, raporton Ekonomia Online.
Në tryezën e mbajtur nga Grupi Parlamentar i AAK-së me temë “Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024”, u tha se ka shumë institucione që nuk kanë përfituar rritje të buxhetit, që sipas tyre është në dëm të shtetit.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se buxheti për vitin e ardhshëm nuk përbën zhvillim ekonomik por varfëri e stagnim.
Ish-kryeministri Haradinaj rritjen e koeficientit e konsideroi të vogël krahasuar me inflacionin.
“Projektbuxheti për vitin 2024 në parametrat e përcaktuar nga qeveria nuk është buxhet zhvillimor por stagnues si në aspektin e zhvillimit ekonomik, edhe në aspektin social dhe të standardit jetësor. Rritja nominale për vetëm 102 milionë euro, praktikisht është zvogëlim real i buxhetit kur marrim parasysh shkallen e inflacionit këtë vit dhe vitin që vjen. Rritja e koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro nuk është rritje, është zvogëlim real i pagave, investimet kapitale gjoja të shtuara për vetëm 48 milionë euro nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik”, tha Haradinaj.
“Asnjë nga projektet e mëdha infrastrukturore nuk është realizuar as këtë vit, por janë bartur për vitin e ardhshëm me shuma të pamjaftueshme për të përfunduar edhe në vitin e ardhshëm. Për Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk është paraparë asnjë cent shtesë, s’ka rritje të buxhetit, përveç 52 milionë euro që barten nga ky vit. Investime të reja kapitale, Ministrinë e Mbrojtës në vitin 2024 nuk do të ketë… Ndarja e buxhetit në nivelin lokal, nuk është rritje, është mashtrim… Ky buxhet është i varfërimit dhe stagnimit, është vazhdim i dështimit të tri vjetëve të qeverisjes Kurti”, tha Haradinaj.
Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, tha se shumë projekte janë bartur në vitin e ardhshëm dhe kjo është dështim i Qeverisë.
“Buxheti në total për vitin 2024 është mbi 3 miliardë e 314 milionë euro, e ka ndryshuar komplet strukturën buxhetore, sepse nëse përpara kanë qenë 35 për qind në investime kapitale, sot kemi 16 për qind dhe ato projekte janë të bartura nga viti 2022/23 për vitin 2024, këtu është dështimi total i qeverisë Kurti dhe do të mbahet mend… Kjo ka ndikuar në ngecje të zhvillimit ekonomik, shumica e buxhetit kanë shkuar në skema sociale dhe subvencione që nuk janë fare transparente, aty e kanë gjet vetëm mashtrimin që ja kanë bërë qytetarëve. Nëse kanë premtuar sigurime shëndetësore, pozicioni këtu është zero…Nëse shohim luksin e kësaj qeveri, nëse krahasojmë me vitin 2021/22 është rrit shuma e këtyre kategorive për 7.5 milionë, sot e kanë rrit luksin në mallra dhe shërbime, ku aty edhe e kanë gjet vetëm dhe janë shpenzuesit më të mirë. Kjo qeveri për tri vjet do të mbahet mend edhe për ngecje në zhvillimin ekonomik, e kanë marrë qeverinë me 16 për qind të rritjes ekonomike dhe këtë vit rritja ekonomike do të jetë 3.5 që është më e ulëta në historinë e qeverive”, tha Lekaj.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se buxheti për vitin 2024, do të jetë “buxhet i mashtrimit të numrave dhe i kamufluar që prodhon varfëri dhe zhgënjim”.
E kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, deklaroi se rritja e koeficientit të paga, është zhgënjyese pasi paga rritet vetëm 29 euro.
“Qeveria Kurti duke mos dashur të përballet me zërin tonë ka prirje të gabuar e të vazhdueshme që edhe kur i qajmë hallet me opozitën, ata na etiketojnë se gjoja opozita po na dirigjon neve, ose po thonë se sindikatat po kanë tendenca ta dirigjojnë opozitën. Buxheti për vitin 2024 është shokues për ne. Po ndalemi të kërkesa për koeficient… 110 ngritja është ironike e nënçmuese ngase mesatarja në arsimin parauniversitar do të jetë rreth 28 euro…Ne do ju drejtohemi deputetëve që edhe njëherë gjatë leximit të parë e dytë mos po ju ndërrohet mendja, sepse me 110 vetëm se shtohen pakënaqësitë”, tha Jasharaj.
Kritika për buxhetin e vitit 2024, pat edhe kryetari i Sindikatës së Sektori Privat, Jusuf Azemi. Tha se as këtë vit nuk do të kenë kontratë kolektive, raporton EO.
“Në buxhetin e tanishëm, neve sindikatave po na bënë me dije se as në vitin 2024 nuk do të kemi marrëveshje kolektive”.


