Instituti “Riinvest” ka organizuar Forumin Ekonomik Vjetor, me ç’rast ka prezantuar raportin “Një model i ri për rritjen e qëndrueshme ekonomike”, ku u paraqitën trendet kryesore ekonomike si dhe u adresuan sfidat e sektorit privat, raporton Ekonomia Online.
Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i Instituti “Riinvest”, tha se migrimi i fuqisë punëtore prin dukshëm si shqetësim i bizneseve.
Hashani shtoi se sipas deklarimeve të bizneseve parashihet se 32.72 për qind e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm, pas liberalizimit të vizave.
Ai po ashtu theksoi se nga të dhënat që i kanë siguruar nga Agjencia Federale e Punësimit të Gjermanisë, del se Kosova çdo vit e humb 1 për qind të popullsisë së vet me leje të punës.
Ndërkohë, ka stagnim të rritjes ekonomike.
“Pas një rritjeje dyshifore në vitin 2021, ekonomia e Kosovës është rikthyer në trendet e para pandemisë, e cila fatkeqësisht nuk është e mjaftueshme për të bërë ndryshim transformues në Kosovës. Rritja ekonomike ka një trend ngadalësimi”.
“Është evidente që ka pasur përpjekje institucionale për të përmirësuar mjedisin biznesor, por kjo nuk është reflektuar te bizneset. Migrimi i fuqisë punëtore prin dukshëm si shqetësim i bizneseve, me 75 pikë nga 100 maksimale”.
“Në pjesën e tretë do të flasim për tregun e punës. Mbetet problematike papunësia tek të rinjtë dhe gratë. Nga të dhënat që janë administrative një pjesë e bizneseve kanë punësuar punëtorë, por presin që të punësojnë edhe në të ardhmen pasi ka paralajmërime për migrim. Ne shohim që ka prirje për rritje të punësimit. Punëdhënësit ankohen që kanë vështirësi për të gjetur punëtorë. Një prej problemeve kryesore është se mungojnë përvoja dhe shkathtësitë”.
“Nga të dhënat e Agjencisë Federale të Punësimit të Gjermanisë, del se Kosova çdo vit humb 1 për qind të popullsisë së vet me leje të punës, kjo vetëm në Gjermani”, tha Hashani.
Derisa sektorët kryesorë ku punojnë kosovarët në Gjermani janë ndërtimtaria dhe akomodimi. “Rezulton që mbi 50 për qind punojnë në ndërtimtari. E dyta në seksionin akomodim, aktivitete administrative dhe ushqime”.
“Nga të dhënat që i kemi nga anketimet e bizneseve janë se 17.59 e tyre kanë raportuar se punonjësit e tyre veçse i kanë informuar se do të emigrojnë vitin e ardhshëm. Vlerësimet e bizneseve janë se 32.72 për qind e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm. Për të frenuar këtë trend, vetëm gjatë vitit të fundit, 79 për qind e bizneseve kanë rritur pagat e tyre dhe rritja e pagave ishte 22.23 për qind. Më i prekuri është sektori i ndërtimtarisë”.
Elene Imnadze, zyrtare e Lartë e Operacioneve në Bankën Botërore, tha se Kosova ka pasur një rimëkëmbje më të madhe sesa kanë pritur pas krizës së pandemisë.
Ajo tha se migrimi i punëtorëve është një sfidë me të cilën janë duke u përballur bizneset, sipas saj, pjesëmarrja e grave në tregun e punës është e vogël me vetëm 20 për qind. Për këtë, ajo kërkoi që të rritet punësimi i grave.
Sipas saj, në bazë të zhvillimit ekonomik nëpër të cilin është duke shkuar Kosova, vendit i duhen edhe tri dekada që t’i arrijë aspiratat.
“Kosova ka qenë në gjendje që të kalojë nga vendi me status nga të hyrat mesatare në vitin 2018. Ne po ashtu kemi vërejtur një rimëkëmbje më të fuqishme sesa kemi pritur pas Covidit. Si Bankë Botërore ne jemi institucion që kemi qëllim ta ulim varfërinë. Përkundër progresit të mirë kohëve të fundit dhe rritjes së eksportit, Kosova vazhdon që të ketë një deficit tregtar që mbulohet nga të ardhurat nga jashtë. Investimi privat në vend është i fokusuar në ndërtime”.
“Problemet që raportojnë firmat, raporti tregon që kjo është një shqetësim i firmave dhe çështje e migrimit do të kontribuojë në këtë çështje. Edhe pse ka problem me punëtorët e kualifikuar, prapë vetëm 20 për qind e grave marrin pjesë në tregun e punës. Gratë janë resurs i këtij vendi që duhet të shfrytëzohet. Me shkallën aktuale të zhvillimit, Kosovës do t’i duhen tri dekada për të tejkaluar këtë hendek për atë që ajo aspiron”, tha ajo.
Samir Lleshi nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), tha se duhet të bëhet rishikimi i politikave fiskale dhe duhet të ndahen fonde në ngritjen e kapaciteteve të shkathtësive tek punëtorët, raporton EO.
“Ne kemi bërë thirrje për të rishikuar dhe modifikuar politikat fiskale me qëllim të përmirësimit të kushteve të veprimtarisë së saj. Ne sot kemi mungesë, sipas hulumtimeve që kemi bërë, të investimeve kapitale. Një prej fushave që duhet të bëhet është edhe rritja e fondit për arsim”, tha ai.
Zef Dedaj, u.d. i drejtorit të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), tha se Raporti i Institutit Riinvest është i qëlluar dhe duhet të merret parasysh nga politikë-bërësit.
“Duhet që të merren parasysh analizat e raportit dhe është shumë e rëndësishme që përmes politikë-bërjes t’i identifikojmë ato aktivitet që cilat sektori privat nuk ka pasur sukses në vete t’i zbatojë dhe prandaj është e nevojshëm ato të përkthehen nga institucionet për politikë-bërje”.
Në lidhje me këtë raport pati diskutime edhe nga të pranishmit e tjerë të cilët e vlerësuan këtë raport dhe bënë thirrje që analizat dhe rekomandimet e dhëna nga ky raport të përdoren nga institucionet në vend për politikë-bërje. Aty po ashtu u theksua që ka mungesë në investime kapitale, sa i përket ndarjeve buxhetore dhe për këtë u bë thirrje për buxhet shtesë për investime kapitale.



