Politikani serb merr dekoratë nga Rusia, Serbia po vepron kundër BE-së?

| 08 Dhj 2023 | 13:38 | Nga

Drejtorit të “Srbijagas” dhe nënkryetarit të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) në pushtet, Dushan Bajatoviq, iu dorëzua Urdhri i Federatës Ruse për kontributin e tij në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Urdhrin e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme ruse, Bajatoviqit ia dorëzoi në Beograd ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Boçan-Kharçenko.

Në një postim në rrjetin social X, Bajatoviq ka shkruar se kjo është një mirënjohje për të gjithë ata që punojnë për forcimin e lidhjeve të ngushta ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.

“Ky urdhër nuk më përket vetëm mua, Srbijagas apo SPS. Unë do ta mbaj me krenari si simbol i lidhjeve vëllazërore dhe të pathyeshme të popullit rus dhe serb”, ka shkruar ai.

Bajatoviç ka vite që është në krye të “Srbijagas”, një kompani shtetërore energjetike që varet nga Rusia për biznesin e saj, prej nga importon gaz.

Së fundmi ai është shfaqur në mbledhjen parazgjedhore të SPS me një xhup të kuq me shkronjën e madhe latine “Z”, që është simbol i agresionit rus ndaj Ukrainës.

SPS, e cila ka qenë në pushtet me Partinë Progresive Serbe (SNS) për më shumë se një dekadë, konsiderohet pro-ruse.

Presidenti i SPS-së, Ivica Daçiç, i cili është gjithashtu kreu aktual i diplomacisë, mbron publikisht qëndrimin se Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë.

Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Kremlinit për pushtimin e Ukrainës, i cili filloi në shkurt të vitit 2022. Së bashku me Turqinë, është i vetmi vend kandidat në BE që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Në maj, Parlamenti Evropian votoi një rezolutë për Serbinë duke shprehur keqardhjen për dështimin e Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe duke dënuar lidhjet e ngushta të dy vendeve.

Të ngjashme