Natën e Ramazanit, Kurti viziton dy xhami të restauruara: Këto xhami sërish do të ngrisin në qiell thirrjen për besim

| 10 Mar 2024 | 19:24 | Nga

Në prag të Ramazanit, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin Hajrulla Çeku, të shoqëruar nga Myftiu Naim Tërnava, kanë vizituar xhamitë Pirinaz dhe Alaudin në Prishtinë.

“Të dyja sapo të restauruara profesionalisht dhe aq bukur, e që po hapin dyert përsëri për besimtarët”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Këto xhami sërish do të ngrisin në qiell thirrjen për besim”, ka theksuar Kurti, duke iu uruar besimtarëve muajin e sakrificës dhe të përkushtimit.

POSTIMI I PLOTË:

Marsi i përkujtimeve dhe sakrificës së popullit tonë, i përpjekjeve të pareshtura për çlirim e barazi, bashkë me pranverën, edhe sivjet sjell përjetimin e muajit të agjërimit dhe të ripërtëritjes shpirtërore.

Në prag të Ramazanit, me ministrin Hajrulla, të mirëpritur e shoqëruar nga Myftiu Naim Tërnava vizituam xhamitë Pirinaz dhe Alaudin në Prishtinë, që të dyja sapo të restauruara profesionalisht dhe aq bukur, e që po hapin dyert përsëri për besimtarët.

Këto xhami sërish do të ngrisin në qiell thirrjen për besim, që në tokë të bëhen vepra të mira. Për mirësi ndaj njëri-tjetrit, e bujari ndaj atyre që kanë më pak. E përgjatë këtij muaji ato do të jenë një mundësi më shumë për të gjetur qetësinë e shpirtit dhe devocionin e zemrës drejt vlerave të besimit, bashkëpunimit, mbrojtjes dhe zhvillimit të paqes.

Të gjithë besimtarëve dhe besimtareve të fesë islame u uroj muajin e Ramazanit, muajin e sakrificës dhe përkushtimit për të tjerët, për ditë të bardha e të paqta, për të gjithë.

U dëshiroj agjërim të lehtë dhe një muaj të begatë!

Të ngjashme