Ligji për zyrtarët publikë diskutohet në Komisionin për Administratë Publike, kritikohet nga opozita

| 29 Mar 2024 | 17:13 | Nga

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka bërë shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publik, në të cilin ka raportuar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, i cilin tha se MPB-ja po zbaton urdhërin e dhënë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se përveç zbatimit të urdhërit të Gjykatës Kushtetuese, MPB-ja ka paraparë ndryshimin e disa dispozitave të tjera në mënyrë që të lehtësojë zbatimin e ligjit në praktikë.

“Përmes projektligjit plotësohet dhe ndryshohet neni 3 i ligjit bazik me qëllim të specifikimit të institucioneve që përjashtohen nga fushëveprimi i ligjit si dhe neni 6 i ligjit ku specifikohet lista e nëpunësve me status të vecantë, pasi që Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që të punësuarit në agjensitë e pavarura të themeluara sipas nenit 142 të të Kushtetutës të trajtohen si nëpunës civilë me status të veçant. Sa i përket listës së pritjes në përputhje me pikën 12a të aktgjykimit projektligji përcakton se nëpunësit në listën e pritjes gëzojnë të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës, duke përfshirë të drejtën në pagë, lartësinë e pagës”, ka thënë Dobra. 

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka akuzuar qeverinë se po mundohet të kamuflojë një projektligj në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se Qeveria Kurti ka tentuar t’i kapë të gjitha pozitat e larta drejtuese dhe se këtë po tenton ta bëj me ndryshimin e ligjit për zyrtarët publikë.

“Është shqetësuese se si qeveria po mundohet të kamuflojë një projektligj në kundërshtim me vetë aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese. I keni vendosur me mandat zyrtarët e pozitave udhëheqëse të nivelit të ultë, ku Gjykata Kushtetuese ia ka tërhequr vërejtjen nga fillimi që ju nuk keni të drejtë të largoni zyrtarët dhe t’i bëni me mandat zyrtarët të cilët janë të kategorisë së ultë menagjeriale dhe ju i vendosni me mandat këtë gjë”, ka thënë Lushtaku. 

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, pyeti zëvendësministrin Dobra se pse ka kërkuar nga kryeministri Kurti që ky ligj t’i shmanget procedurave të parapara me rregulloren e punës dhe se pse ky ligj është votuar në mbledhje elektronike dhe jo në mbeldhje të rregullt.

“Cila është arsyeja madhore që ju keni kërkuar prej kryeministrit që ky ligj t’i shmanget procedurave të parapara me rregulloren e punës se qeverisë me miratimin e këtij ligji. Pse nuk e keni vendosur në miratim këtë ligjë në mbledhje të rregullt por në mbledhje elektronike të qeverisë 4 orëshe”, ka pyetur Tahiri.

Dobra duke ju përgjigjur Tahirit ka thënë se mbledhjet e rregullta zgjasin një orë dhe se nuk ka ndonjë arsye tjetër, por thjesht vetëm për shkak të agjendës.

Të ngjashme