Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Bashkim Berishës, i cili akuzohej se në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë siç kërkohet sipas ligjit, duke mos e deklaruar një banesë që figuron në emër të bashkëshortes së tij.
Shpallja e aktgjykimit është bërë të hënën nga gjykatësi Adnan Kamberi, i cili tha se nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihej në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Faton Sadiku- zyrtar i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, i cili ka deklaruar se Berisha ka qenë i obliguar që të bëjë deklarimin e pasurisë brenda periudhës 1- 31 mars 2022, mirëpo ka paraqitur raportim jo të saktë të pasurisë.
Sadiku ka thënë se sqarimi i të akuzuarit ka qenë se banesa të cilën nuk e ka përfshirë në deklarim të pasurisë, është pasuri e trashëguar e bashkëshortes së tij nga prindërit e saj, qysh para njohjes së tyre. Tha se nuk ka informacione nëse deklarimi i banesës është bërë viteve pasuese.
Lidhur me këtë, nga i akuzuari Berisha është bërë me dije se i njëjti është në pension dhe ai deklarim ka qenë i fundit për të. Gjithashtu, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave.
Berisha ka deklaruar se banesa është trashëguar nga bashkëshortja e tij para njohjes së tyre dhe nuk e ka konsideruar si të nevojshme që të deklarohet. Ka thënë se asnjëherë më parë nuk e ka deklaruar këtë pasuri dhe asnjëherë nuk është konsideruar si shkelje.
Më pas, u dha fjala përfundimtare ku prokurori Qela ka thënë se mbetet pranë aktakuzës së ngritur dhe se pa mëdyshje është vërtetuar fajësia e të akuzuarit, ndërsa pretendimi i dhënë nga i akuzuari se pasuria e fituar nga bashkëshortja është pasuri e fituar para martesës dhe nuk ka obligim që të deklarojë, nuk qëndron askund në ligj.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Bashkim Berisha, avokati Basri Aruqaj, tha se në bazë të provave të administruara vërtetohet pafajësia e të akuzuarit Berisha.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 28 shkurt 2023, Bashkim Berisha akuzohej se në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me dashje nuk ka bërë deklarimin e pasurisë siç është e paraparë me ligj. Mirëpo, i njëjti ka bërë deklarim të rremë të pasurisë në të dhënat e kërkuara për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2022, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë edhe banesën me sipërfaqe prej 34 m2 në lagjen “Kodra e Diellit”, e cila figuron në emër të bashkëshortes së tij.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, par. 2 të Kodit Penal.