Sopranoja e njohur shqiptare Ramona Tullumani ka reaguar lidhur me protestat studentore dhe dhunën e përdorur ndaj të rinjve, duke shprehur shqetësimin për situatën në vend dhe mungesën e shpresës që, sipas saj, po përjeton shoqëria shqiptare.
Në një reagim të saj, Tullumani e krahason situatën aktuale me ngjarjet tragjike të vitit 1997, duke kujtuar dhunën dhe frikën që shoqëruan atë periudhë.
“Vendi ynë po kalon ndoshta javën më të vështirë prej ngjarjeve tragjike të vitit 1997, kur në kujtesë më kanë mbetur dhuna e egër dhe frika kolektive për të ardhmen e pasigurt”, shprehet sopranoja.
Ajo thekson se ngjarjet në Tiranë dhe qytetet e tjera kanë nxjerrë edhe më qartë në pah mungesën e shpresës, largimin e të rinjve nga vendi dhe dëshirën e brezave të rinj për një Shqipëri ndryshe, të udhëhequr nga mendje të hapura dhe larg negativitetit.
“Pamjet nga Tirana sjellin trishtim, dhuna prodhon dhimbje dhe plagë që nuk shërohen lehtë, arroganca mbjell pakënaqësi dhe reagim”, shkruan Tullumani.
Në reagimin e saj, sopranoja nënvizon se të rinjtë kanë nevojë për më shumë vëmendje, kujdes, arsimim dhe edukim, por mbi të gjitha për shpresë për të ardhmen.
Sipas saj, Shqipëria duhet të jetë një vend ku të rinjtë mund të ndërtojnë jetën e tyre, të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet e mirëqenie, dhe jo thjesht një vend tranzit nga i cili largohen për të kërkuar mundësi më të mira.
Reagimi:
Shqipëria dhe rinia meritojnë shpresë, jo errësirë
Vendi ynë po kalon ndoshta javën më të vështirë prej ngjarjeve tragjike të vitit 1997, kur në kujtesë më kanë mbetur dhuna e egër dhe frika kolektive për të ardhmen e pasigurtë.
Çfarë po ndodh në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera na përplasi përpara syve më qartë se kurrë atë që konstatonim ditë pas dite, se fatkeqësisht jemi rikthyer në mënyrë trishtuese te mungesa e shpresës, te rinia që ikën nga ky vend dhe te brezat e rinj që kërkojnë një vend ndryshe. Një vend të udhëhequr nga mendje të hapura e të ndriçuara, ku errësira dhe negativiteti rrinë larg.
Pamjet nga Tirana sjellin trishtim, dhuna prodhon dhimbje dhe plagë që nuk shërohen lehtë, arroganca mbjell pakënaqësi dhe reagim. Rinia meriton vëmendje, kujdes, shkollim dhe edukim, mbi të gjitha shpresë se ky nuk është një vend për të qëndruar tranzit, por atdheu ku duhet të jetosh e punosh me dinjitet e mirëqënie.