Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shfaqur mbështetje të madhe për kandidatin për deputet, Shkëmb Manaj, duke theksuar se Shkëmbi është shtylla kryesore e transformimit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Rama ka thënë se Manaj është një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe shtylla kryesore e transformimit të Prishtinës.
“Ai ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e Kryeqytetit nga pengesat e vazhdueshme që kemi hasur në nivelin qendror. Me përkushtim të jashtëzakonshëm, Shkëmbi ka punuar pandërprerë për interesat e qytetarëve të Prishtinës, duke u angazhuar që ajo të trajtohet si Kryeqytet dhe jo thjesht si një komunë e zakonshme. Projekte të rëndësishme si: Rruga “Xhim Xhema” (Rruga A), Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030″, mësimit tërë ditor, mbrojtja e të hyrave vetanake dhe e ndërmarrjeve publike, si dhe projekti inovativ i ishullit të gjelbër, janë vetëm disa nga nismat që vështirë se do të realizoheshin pa angazhimin profesional, guximin dhe përvojën e tij për të gjetur zgjidhje”, ka shkruar Rama.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ai thekson se roli i Shkëmb Manaj në nivel qendror do të jetë vendimtar për Prishtinën dhe për gjithë Kosovën.
“Ai i njeh mirë sfidat e zhvillimit të Kryeqytetit dhe të vendit, dhe ka guximin, vizionin dhe dijen për të ndërmarrë veprime të mëdha, që do të mundësojnë përparimin dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve pa dallim”, ka shkruar kryetari Rama.