Të paktën 24 të vdekur nga zjarret në Korenë e Jugut, mbi 23 mijë banorë evakuohen nga shtëpitë e tyre

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Të paktën 24 persona kanë humbur jetën, si pasojë e zjarreve katastrofike që kanë pushtuar Korenë e Jugut ditët e fundit.

Kriza “e paprecedentë” mbetet kritike dhe po “rishkruan librat e rekordeve për zjarret më të këqija në historinë e kombit tonë”, tha presidenti në detyrë Han Duck-soo.

Zjarret dogjën gjithashtu tempullin 1300-vjeçar të Gounsa në qytetin Uiseong.

Zjarret nisën në qarkun Sancheong të premten pasdite dhe më vonë u përhapën në qarkun Uiseong, thanë autoritetet.

Të nxitur nga erërat e forta, zjarret po përparojnë në qarqet fqinje të Andong, Cheongsong, Yeongyang dhe Yeongdeok, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.

Zjarri në Uiseong po përhapet me një shkallë dhe shpejtësi “të paimagjinueshme”, tha për Reuters Lee Byung-doo, një ekspert i fatkeqësive pyjore në Institutin Kombëtar të Shkencës Pyjore.

Një helikopter zjarrfikës u rrëzua në malet e qarkut Uiseong pak pas mesditës të së mërkurës, sipas autoriteteve, të cilët po hetojnë shkakun.

Të ngjashme