“Moi Lifestyle” dhe “The Crown Prishtina” hapin dyert në Prishtinë, me koncepte të veçanta gastronomike

Prishtinë | 24 Tet 2026 | 21:17 | Nga Ekonomia Online

Nga një ambient ku ndërthuren shijet mesdhetare me ndikimet aziatike, te një restorant ekskluziv që pranon vetëm 16 mysafirë për shërbim, Prishtina pasurohet me dy koncepte të reja gastronomike. “Moi Lifestyle” dhe “The Crown Prishtina” kanë hapur zyrtarisht dyert në Prishtinë, duke sjellë një model të ri të përvojës kulinare, të lidhur me brendin “Crown” që tashmë operon edhe në Tiranë, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi i këtyre dy brendeve, Fatjon Selimaj, ka thënë se hapja në Prishtinë është pjesë e një plani më të gjerë për krijimin e një rrjeti gastronomik dhe hotelier në qytetet kryesore të rajonit.

“Ne në fakt sot hapim dy lokale: Moi Lifestyle dhe Crown Prishtina. Crown Prishtina dhe Crown Tirana në fakt janë si degëzime, një emër gastronomik shumë i njohur dhe hotelier shumë i njohur i Tiranës. Qëllimi është, në fakt, ne që kur e kemi ndërtuar edhe Crown Tirana, qëllimi ynë ka qenë që të kemi Crown Tirana, Crown Prishtina dhe Crown Skopje. Kështu që jemi në fazën e dytë të trinomit që duam të ndërtojmë për të gjithë shqiptarët e Ballkanit, në fakt për një gastronomi të nivelit të lartë dhe një hoteleri të nivelit të lartë”, ka thënë Selimaj.

Ai ka treguar se zgjedhja e zonës së “Kafeve të Vogla” në Prishtinë lidhet edhe me përvojat e tij të mëparshme në kryeqytetin kosovar, si dhe me bashkëpunimin me lokalin Damikele, që më herët ka qenë i pranishëm në këto hapësira.

“Në fakt, në të gjitha ardhjet e mia në Prishtinë, në shumicën e rasteve, nuk e di pse, por te kafet e vogla më kanë sjellë gjithmonë miqtë e mi të Prishtinës. Kështu që pata një afeksion, një afeksion shumë të mirë me këtë zonë. Gjithashtu edhe bashkëpunimi me Damikele-n, që ishte lokali që ka qenë prezent në këto ambiente, ndërtuam këtë kombinim dhe jam shumë i lumtur që jemi në këtë zonë dhe në këtë lokacion”, ka deklaruar ai.

Selimaj ka thënë se hapja në Prishtinë do t’ua lehtësojë klientëve nga Kosova qasjen në konceptet që deri më tani i kanë vizituar në Tiranë. Sipas tij, Crown Tirana ka pasur shumë klientë nga Kosova, si në hotel, ashtu edhe në restorant dhe në shërbimet e tjera që ofron.

“Ne në fakt në Crown Tirana kemi shumë klientë nga Kosova, si në hotel, si në restorant, si në bar, si në darkë, si në fine dining dhe në të gjithë konceptin që ne kemi. Dhe unë mendoj që tani e kanë më kollaj të na vizitojnë, se ju kemi ardhur ne këtu. Kështu që besoj mirë, qëllimi ynë është që të sjellim të gjithë brendin në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Selimaj.

Ai ka sqaruar se dy lokalet, ndonëse funksionojnë nën të njëjtën çati, kanë karaktere të ndryshme. The Crown Prishtina do të funksionojë si restorant ekskluziv, me numër të kufizuar tavolinash dhe mysafirësh, ndërsa Moi Lifestyle është konceptuar si hapësirë më gjithëpërfshirëse.

“Me disa ndryshime të vogla, në fakt Crown Prishtina do të jetë shumë ekskluziv: ka vetëm katër tavolina, do të jetë i hapur vetëm katër ditë në javë, vetëm për 16 mysafirë, me rezervime shumë kohë përpara dhe paraprake. Ndërsa Moi Lifestyle, që ne e kemi quajtur, është brendi i dytë që janë brenda në të njëjtën çati; është një lokal më lifestyle, është gjithëpërfshirës, është për të gjitha moshat, për familjen, për gjithëkënd që do të kalojë një moment të bukur të ditës”, ka thënë ai.

Përveç hapjes së restorantit, Selimaj ka bërë të ditur se synimi i radhës është hapja e një hoteli Crown në Prishtinë, ndërsa në planet afatgjata përfshihen edhe Shkupi dhe qytete të tjera të rajonit.

“Unë besoj që po, besoj që presim që së shpejti duhet të hapim edhe Crown-in si hotel në Prishtinë; është qëllimi ynë i dytë pas restorantit. Dhe pastaj patjetër, siç ju thashë, do të zgjerohemi me Shkupin dhe ndoshta me Ulqinin apo Plavën, apo diçka në zonën e Malësisë”, ka deklaruar Selimaj.

Ai nuk ka dhënë një datë konkrete për hapjen e hotelit, por ka thënë se zhvillimet e fundit në Tiranë mund të ndikojnë në përshpejtimin e planeve për Prishtinën.

“Do të doja të kisha një numër, do të doja të kisha një datë, do të doja të kisha diçka konkrete. Nuk e kam akoma, por shpresoj shumë shpejt, derisa kemi një lajm shumë të mirë që ka ndodhur para dy javësh, në fakt më 30 shtator, që Crown Tirana është pjesë e 20 hoteleve të para të Guidës Michelin, që ka hyrë për herë të parë në territorin shqiptar. Kështu që është historike për brendin tonë, është historike për Shqipërinë dhe mendoj edhe për gjithë shqiptarët e Ballkanit. Kështu që gjasat janë që ta hapim shumë shpejt për shkak edhe të këtyre lëvizjeve që kanë ndodhur, të kësaj dekorate që ne e quajmë shumë prestigjioze për brendin tonë, dhe detyrimisht që do të jemi shumë shpejt prezentë edhe me hotelerinë në Prishtinë”, ka thënë ai.

Duke folur për bashkëpunimin me ekipin dhe realizimin e projektit në Kosovë, Selimaj ka thënë se procesi ka shkuar mirë, pavarësisht se punimet kanë zgjatur pak më shumë për shkak të periudhës së ngarkuar.

“Është shumë i mirë. Përndryshe, unë jam me origjinë nga veriu i Shqipërisë, kështu që ndihem gjysmë nga Kosova. Shumë i mirë ka qenë; ka zgjatur pak punimet për shkak edhe të periudhës ndoshta edhe të ngarkuar, por jam i kënaqur, ia kemi arritur brenda afateve dhe datave që kishim për të hapur”, ka deklaruar Selimaj.

Për dallimet mes dy koncepteve ka folur edhe Albi Subasho, shef ekzekutiv i kuzhinës, i cili ka shpjeguar se Moi Lifestyle është ndërtuar mbi idenë e të qenit vetvetja, me pjata të lehta dhe shije që ndërthurin kuzhinën mesdhetare me ndikime aziatike.

“Moi bazohet në konceptin e të secilit, të qenit vetvetja. Po ashtu është bazuar dhe kuzhina. Domethënë pjatat janë të lehta, goxha të shijshme, shije mesdhetare, të kombinuara shumë pak me ato aziatike, por që janë të pranueshme për çdo njeri dhe goxha të shijshme”, ka thënë Subasho.

Në anën tjetër, ai ka shpjeguar se The Crown Prishtina do të ofrojë një përvojë krejtësisht tjetër, të përqendruar te gastronomia fine dining, me menu degustimi dhe një numër të kufizuar mysafirësh.

“Ndërsa Crown-i është komplet e kundërta. Crown-i është ekskluziv fine dining. Një restorant i një koncepti goxha të veçantë, jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin. Duke qenë që Crown-i është goxha ekskluziv, pasi hapet vetëm katër ditë në javë, për 16 veta dhe ka vetëm menù degustimi. Që dhe menutë e degustimit janë surprizë, ku klienti vjen, je pak i alergjitur dhe nuk e di se çfarë do të konsumojë. Domethënë e gjithë eksperienca është surprizë nga ushqimi deri tek pija”, ka deklaruar ai.

Subasho ka thënë se koncepti Moi është pritur mirë në Tiranë dhe se interesi për hapjen në Prishtinë është shprehur edhe nga klientët që kanë kontaktuar ekipin për të mësuar se kur mund ta vizitojnë lokalin.

“Atëherë, ne operojmë edhe në Tiranë, Crown Tirana. Moi gjashtë është pritur shumë mirë nga klientët. Domethënë është një koncept që mezi po pritet që të hapet dhe kemi shumë njerëz që na shkruajnë çdo ditë, që kanë shumë dëshirë që ta vizitojnë. Ndërsa Crown-i është një sfidë në vetvete, por që normalisht është një ëndërr e çdo, e çdo gastronomi. Domethënë, një ëndërr që bazohet në profesionalizmin e, e chef-it të kuzhinës, e somelierit, e shërbimit. Domethënë, kjo, kjo është e gjitha”, ka thënë Subasho.

Shefi ekzekutiv i kuzhinës ka treguar se përvoja e tij profesionale është ndërtuar edhe jashtë Shqipërisë, përfshirë punën në një restorant me dy yje Michelin në Belgjikë, ku ka shërbyer si sous chef për dy vjet.

“Aktualisht, unë jam ekzekutiv chef i Crown Tirana tani prej katër vitesh, por më parë kam punuar në Belgjikë, në një restorant me dy Michelin, ku kam qenë sous chef i Michael Renders, prej dy vitesh. Normalisht, një njohës shumë i mirë i kuzhinës franceze, evropiane, nordike, gjë e cila realisht, domethënë, ndihmon edhe mua shumë pjesën e formimit të karakterit profesional”, ka deklaruar ai.

Duke folur për dallimet mes kuzhinës tradicionale shqiptare dhe asaj evropiane, Subasho ka theksuar se Shqipëria ka një larmi të madhe produktesh, por se përvoja e fituar jashtë vendit i ka ndihmuar t’i përdorë ato përmes teknikave të ndryshme të përgatitjes.

“Realitetisht, unë them që Shqipëria e madhe është e bekuar nga pjesa e prodhimeve. Domethënë, ne kemi një shumëllojshmëri produktesh, qoftë tokë, det, perime, fruta etj., etj. Por i vetmi nus që ne kemi, është fakti që ne nuk e përpunojmë shumë ushqimin. Domethënë kemi teknikat tona, të cilat janë bazë, normalisht shumë të shijshme dhe shumë të mira, dhe gjëja që unë kam bërë, është që përdor teknikat që unë kam mësuar në Evropë me produkte lokale, dhe realisht rezultati është fantastik”, ka thënë Subasho.

Ai ka veçuar hapjen e The Crown Prishtina si një nga sfidat më të rëndësishme profesionale për të, duke theksuar se koncepti i restorantit krijon mundësi për t’u kushtuar vëmendje të veçantë secilit mysafir dhe çdo detaji të darkës.

“Sfida jonë momentale është Crown Prishtina, duke qenë që është një restorant që unë gjithmonë kam dashur që ta kem. Një restorant ku ti ke një numër të limituar personash dhe normalisht, ke çdo gjë në dorë pjesën e darkës, dhe klienti duhet të ketë eksperiencën më të mirë që mund të ketë në një restorant”, shtoi Subasho.

Hapja e Moi Lifestyle dhe The Crown Prishtina shënon hyrjen e dy koncepteve të reja në skenën gastronomike të kryeqytetit, me një ofertë që synon të ndërthurë një ambient të hapur për kategori të ndryshme klientësh me një përvojë ekskluzive të gastronomisë së nivelit të lartë.

Të ngjashme