Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar ndaj mbylljes së Qumështores VITA, duke e cilësuar këtë veprim si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë së Kosovës, prodhimit vendor dhe klimës së të bërit biznes.
Në reagimin e saj, organizata thekson se VITA i plotëson standardet e kërkuara dhe se çdo veprim ndaj një kompanie të tillë ngre shqetësime serioze.
“Mbyllja e Qumështores VITA është goditje direkte ndaj ekonomisë së Kosovës. Fabrika e qumështit VITA i ka të gjitha certifikatat dhe i plotëson standardet e kërkuara. Çdo veprim ndaj një prodhuesi të tillë ngre shqetësime serioze dhe dëmton besimin në klimën e të bërit biznes në Republikën e Kosovës. Çdo ministër dhe zyrtar institucional duhet ta kuptojë qartë se veprime të tilla nuk i bëjnë nder as politikës, as institucioneve dhe as Republikës së Kosovës. Stop shkatërrimit të prodhuesve vendorë. Stop dëmtimit të imazhit të biznesit në Kosovë”, thuhet në reagim.
Lidhja e Bizneseve vlerëson se ndikimi i këtij vendimi shkon përtej një kompanie të vetme, duke prekur vende pune, fermerë dhe gjithë zinxhirin e furnizimit.
“Ajo që po ndodh me Qumështoren VITA është alarm për gjithë sektorin privat në vend. Mbyllja e një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë nuk është vetëm çështje e një kompanie – është goditje e drejtpërdrejtë ndaj prodhimit vendor, qindra vendeve të punës, qindra fermerëve dhe furnizuesve me qumësht, si dhe gjithë zinxhirit të furnizimit. Këto veprime skandaloze po e dëmtojnë rëndë prodhimin vendor, po rrezikojnë humbjen e tregjeve të brendshme dhe të jashtme për produktet e Kosovës dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e importit, në vend të forcimit të prodhimit vendor”, thuhet më tej.
Sipas organizatës, veprime të tilla dërgojnë sinjal negativ për investitorët dhe cenojnë stabilitetin ekonomik të vendit.
“Kjo është një goditje e rëndë ndaj stabilitetit ekonomik dhe një sinjal jashtëzakonisht negativ për investitorët – vendorë dhe të huaj. Institucionet duhet ta kuptojnë qartë: bizneset nuk janë objekt eksperimentesh politike apo vendimesh që shkatërrojnë prodhimin vendor. Kosova nuk ndërtohet duke i mbyllur fabrikat, por duke i mbrojtur ato. Sundimi i ligjit – po, por jo selektivitet, jo presion dhe jo vendime që shkatërrojnë ekonominë. Mjaft më me qasje që dëmtojnë prodhuesit vendorë dhe klimën e biznesit në vend. Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të prodhimit vendor, vendeve të punës dhe ekonomisë së Kosovës”, thotë reagimi.