Në fshatin Greme të Ferizajt sot është përkujtuar Shaban Viça – Baci, njëra nga figurat emblematike për çlirimin e Kosovës, në gjashtëmbëdhjetëvjetorin e kalimit të tij në amshim. Në tubimin përkujtimor merrnin pjesë autoritete, miq e bashkëluftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare.
Shaban Viça – Baci ka qenë njëri nga çlirimtarët e orëve të para nga kjo anë. Ishte pjesëmarrës i tri luftërave çlirimtare: UÇK-së, UÇPMB-së, UÇK-së në Maqedoni, ka kujtuar njëri nga bashkëluftëtarët e tij Ismet Sulejmani.
“Baci ka qenë një idealist i përkushtuar dhe i paepur për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre, kauzë kjo që ia kushtoi tërë jetën e tij duke u bërë frymëzim i përhershëm për çdo gjeneratë. Po fati deshi që ai të ndahej herët nga jeta”, është shprehur Ismet Sulejmani.
Ai ka veçuar edhe një herë kontributin e jashtëzakonshëm të gjithë familjes Viça që ka dhënë për çështjen e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Familja Viça në Greme të Ferizajt ka qenë baza e parë e UÇK-së në këtë anë, duke sakrifikuar gjithçka rreth idealit për liri të atdheut, ndërsa pas çlirimit të Kosovës, me gjithçka që patën mundësi ndihmuan në organizimin dhe rritjen e UÇPMB-së dhe UÇK-së në Maqedoni.
Lideri i luftës së shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, në një rast pati deklaruar se pa kontributin e Bacit dhe mbarë familjes Viça, lufta në këtë anë do të ishte e pamundshme.
“Nga shtëpia e Shaban Viçës në Greme u nisa për luftë në Maqedoni, prandaj Shaban Viçën dhe familjen e tij nuk do t’i harrojmë kurrë”, pati vlerësuar Ali Ahmeti.
Shaban Viça me dekret të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, është shpallur “Hero i Kosovës”.

