Arsenali e mund Realin, kthehet në gjysmëfinale të “Champions” pas 16 vjetësh

Prishtinë | 16 Pri 2025 | 23:12 | Nga Ekonomia Online

Arsenali është kthyer në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pas 16 vjetësh.

Ata eliminuan kampionin në fuqi të kësaj gare, Real Madridin, me rezultat total 4:2.

Topçinjtë erdhën në “Santiago Bernabeu” me një kapital prej tre golash epërsi nga ndeshja e parë në Londër e cila përfundoi 3:0.

Atyre u mjaftoi “magjia” e Declan Rice me dygolëshin e tij nga goditjet e lira dhe realizimi i Mikel Merinos për të luajtur më qetë në takimin e dytë.

Moment paniku ishte minuta e 13-të kur Bukayo Saka humbi penaltinë pas një panenke të dështuar të cilën e mbrojti Thibaut Courtois.

Mirëpo, Saka ndreqi gabimin kur iu përvodh mbrojtjes madrilène dhe shënoi për 0:1 në minutën e 65-të të ndeshjes.

U mendua se vendësit morën zemër kur Vinicius Junior shënoi për 1:1 dy minuta më vonë pas shpërqendrimit të William Salibës në mbrojtje.

Gabriel Martinelli vulosi gjithçka në minutën e 94-t kur shënoi pëe 1:2 pas një kundërsulmi.

Në gjysmëfinale, klubi anglez ka një ballafaqim të fortë me Paris Saint-Germainin.

Të ngjashme