Avokati i të dyshuarit për terrorizëm Millan Radoiçiq u angazhua nga ambasada kineze në Serbi si mbrojtje e shtetasit kinez të kërkuar nga SHBA

Prishtinë | 29 Pri 2025 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Goran Petronijeviq, avokati kontrovers serb dhe mbrojtës i të dyshuarit për terrorizëm Milan Radoiçiq, është angazhuar si mbrojtës ligjor i shtetasit kinez Kui Guanghaj, i cili u arrestua ditë më parë në Serbi në bazë të një fletëarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kui Guanghaj, së bashku me britanikun John Miller, akuzohen nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për përpjekje të organizuara për të frikësuar dhe kërcënuar një kritik të presidentit kinez Xi Jinping, gjatë Samitit të APEK në San Francisko më 2023. Të dy dyshohet se kanë rekrutuar bashkëpunëtorë për të sabotuar veprimtarinë e artistit disident, duke përfshirë shkatërrimin e skulpturave satirike të presidentit kinez.

Lajmi për përfshirjen e avokatit të Millan Radoiciq në këtë rast u bë i ditur nga media propagandistike ruse ‘Russia Today’.

Petronijeviq i cili ka qenë këshilltar i strukturave ilegale në veri të Kosovës, ka konfirmuar se është angazhuar pas kontakteve me Ambasadën e Kinës në Beograd.

Kujtojmë se dje me datë 28.04.2025 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar urdhërarrest ndaj terroristit Milan Radoiçiq dhe 19 serbëve të tjerë të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në Gjakovë gjatë viteve 1998-1999.

Vendimi i gjykatës, në të cilin urdhërohet shoqërimi me forcë i menjëhershëm i të pandehurve është marrë më 15 prill 2025, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 27 mars 2025.

Në mesin e të urdhëruarve për arrestim janë edhe emra si Milovan Kovaçeviq, Radomir Çoliq, Milos Gjosan, Predrag Ristiq, Srdan Krstiq dhe të tjerë.

Të ngjashme