AGK e dënon fuqishëm pengimin në punë të gazetarit nga mbrojtja e afërt e Kurtit “në ditën kur Kosova renditet e 99-ta për lirinë e medias”

Prishtinë | 02 Maj 2025 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka dënuar ashpër pengimin e gazetarit të T7, Genc Godanci, nga sigurimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Rexha ka thënë për Ekonomia Online se pamjet tregojnë se në të paktën dy raste, sigurimi i Kurtit ka ndërhyrë fizikisht për të penguar gazetarin të bëjë pyetje.

AGK e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm, të patolerueshëm dhe që rrezikon sigurinë fizike të gazetarëve, duke i bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe vetë kryeministrit në detyrë të sigurojnë kushte të përshtatshme për punën e gazetarëve në ambiente publike.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon fuqishëm pengimin në punë të gazetarit te T7 Genc Godancit nga mbrojtja e afërt e kryeministrit në detyrë Kurti. Pamjet tregojnë që së paku në dy rastet mbrojtja e kryeministrit në detyrë të Kurtit fizikisht e ka penguar gazetarin Godanci për të bërë pytjet që ai ka dashur pikërisht për Reporterët pa Kufij. AGK- ja e konsideron këtë veprim që nuk ndodh për herë të parë si të papranueshëm dhe të patolerueshën dhe që vënë në rrezik sigurinë fizike të gazetarëve. Ne ftojmë Policinë e Kosovës, por edhe vetë kryeministrin në detyrë Kurti që të ofrojnë kushte normale për gazetarët që duan të bëjnë pyetje në ambient publik për interes publik. Një veprim i tillë që ndodh pikërisht në ditën e publikimit të raportit të Reporterëve pa kufij që e rendit Kosivën në vendin e 99-të është një tjetër dëshmi që ish- qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti ka krijuar një atmosferë të vazhdueshme armiqësore ndaj gazetarëve”, tha Rexha për EO.

Të ngjashme