Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas tragjedisë së rëndë në fshatin Demiraj, ku humbën jetën dy persona, raporton Ekonomia Online.
Përmes një reagimi publik në Facebook, Hyseni ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe të afërmit e viktimave, duke theksuar se kjo ngjarje ka tronditur gjithë komunën.
“Sot komuna jonë u trondit nga lajmi i rëndë për humbjen e dy jetëve në fshatin Demiraj. Në këto momente të vështira, ndajmë dhimbjen me familjarët”, ka shkruar Hyseni.
Ai ka theksuar se humbja e jetëve në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht përbën një tragjedi që prek të gjithë qytetarët.
“Humbja e jetëve në rrethana që ende nuk janë sqaruar në tërësi është një tragjedi që na prek secilin. Në emër të Komunës së Gjilanit, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të tyre”, thuhet në reagimin e tij.
Hyseni ka kërkuar gjithashtu që institucionet kompetente të angazhohen për zbardhjen e plotë të rastit.
“Presim që organet e rendit dhe të drejtësisë të bëjnë punën e tyre me përkushtim të plotë për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti”, ka përfunduar Hyseni.