Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka konfirmuar se partia e tij nuk do të japë votën për Albulena Haxhiun, e propozuar nga Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia.
Ai tha se Haxhiu nuk i përmbush standardet e dinjitetit për këtë pozitë, duke përmendur gjuhën përçarëse dhe ofendimet ndaj opozitës.
Qalaj theksoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe nënvizoi nevojën për vullnet politik dhe bashkëpunim ndërpartiak për të gjetur një zgjidhje dhe tejkaluar ngërçin politik.
“Nuk ka ndryshime, qëndrimi është i njëjtë. Nuk ka votë për njeriun që nuk është i denjë për pozitën e kryetarit. Prapë është njëjtë – nëse tentohet të bëhet si seanca e kaluar, nuk ka ndryshim në votimin kundër. I mbetet VV-së që të propozojë dhe të shohim e të veprojmë. Po mungon vullneti, sepse po i mungojnë numrat për qeveri. Ekzistojnë mekanizma për bashkëpunim ndërpartiak në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje. Asnjë person i cili ka qenë përçarës dhe ka ofenduar opozitën e figura të njohura të vendit, persona që kanë hedhur gaz dhe kanë shkaktuar pasoja në atë kohë, për mua janë të papranueshëm. Por ekziston mundësia që me një vullnet të gjendet një zgjidhje dhe të ecim përpara.”, ka theksuar Qalaj.