Rezoluta më e fundit e Parlamentit Evropian për Serbinë përfaqëson një ndër qëndrimet më të qarta dhe më të drejtpërdrejta që ka mbajtur ndonjëherë Brukseli ndaj sjelljes së Beogradit karshi pakicave kombëtare, vlerwsoi ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
Ai tha se rezoluta zbërthen me fakte dhe gjuhë të prerë realitetin që pakicat, përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës, e jetojnë çdo ditë: të drejta të kufizuara, përfaqësim formal e të kontrolluar nga qeveria dhe mungesë të kushteve elementare për ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor.
“Rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian (P10_TA(2025)0093) për Serbinë, është një kambanë alarmi që nuk mund të injorohet më! Evropa po ia thotë troç Beogradit: mjaft me fasadën e të drejtave të pakicave, përfshirë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës!
PE e thotë qartë: e ashtuquajtura “mbrojtje” e pakicave nga Serbia është vetëm formale dhe përfaqësimi i tyre është nën kontrollin e qeverisë. Kjo është tallje me demokracinë!
PE deploron shkeljen e të drejtave për arsim në gjuhën amtare. Fëmijët tanë meritojnë tekste shqip dhe kushte dinjitoze, jo asimilim të heshtur!
PE dënon abuzimin e identiteteve kombëtare për të mbjellë përçarje dhe gjuhën e urrejtjes kundër pakicave. Sikurse, vonesa e Serbisë në hartimin e planit për të drejtat e pakicave tregon mungesë vullneti.
PE në pikën 47 shpreh shqetësim të ripërsëritur në lidhje me zbatimin kufizues dhe arbitrar të Ligjit për Vendbanimin… lidhur me “pasivizimin e adresave të mijëra shqiptarëve në Serbisë“
Përderisa në pikën 46 thekson mungesën e sigurimit e përfaqësimit të plotë të pakicave në të gjitha nivelet e qeverisjes, ruajtjen e identitetit kulturor përmes përdorimit të gjuhëve përkatëse dhe plotësimit të nevojave arsimore, si dhe garantimin e lirisë së shprehjes dhe qasjes në informacion.
Nënvizon rëndësinë e hetimit aktiv të krimeve të motivuara nga urrejtja si një pjesë e pazëvendësueshme e vlerave të përbashkëta evropiane.
PE, gjithashtu, në pikën 38 kërkon “qasje të barabartë në media për të gjitha komunitetet” madje “i bën thirrje” autoriteteve serbe të zgjerojnë disponueshmërinë e shërbimeve të transmetimit publik në të gjitha gjuhët e pakicave në të gjithë vendin!
Serbia duhet të zbatojë urgjentisht rekomandimet e PE! Sidomos, të drejta të plota për shqiptarët dhe pakicat e tjera!”, shkroi nw fb Mustafa.