Shefi i ndihmës humanitare i Kombeve të Bashkuara, Tom Fletcher, ka thënë se 14 mijë foshnje mund të vdesin në Gazë brenda 48 orëve të ardhshme nëse nuk do t’u ofrohen të tjera ndihma, ka raportuar të martën (më 20.05.2025) televizioni britanik, BBC.
Izraeli i ka dhënë fund bllokadës 11-javëshe të futjes së ndihmave në Gazë të hënën – por Fletcher thekson se vetëm pesë kamionë janë futur deri tani dhe se ende nuk ka arritur ndihma në mesin e banorëve të Gazës.
“Unë dua të shpëtoj sa më shumë prej këtyre 14 mijë foshnjave që mundemi brenda 48 orëve të ardhshme”- ka deklaruar Fletcher për programin “Today” të BBC-së.
Gjatë natës, bombardimet ajrore në Gazë kanë vrarë së paku 38 palestinezë brenda gjysmë ore, kanë thënë mjekët vendas për BBC-në.
Sulmet janë kryer në kohën kur Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja paralajmëruan Izraelin që të ndalte “ofensivën e përtërirë ushtarake” në Gazë dhe që të rriste sasinë e lejuar të ndihmave humanitare në Gazë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se “lufta mund të përfundojë nesër” nëse “Hamasi” liron pengjet dhe dorëzon armët – 58 pengje vazhdojnë të mbahen në Gazë, prej të cilëve 23 besohet se ende janë gjallë.