Gjykata ia bllokon Trumpit shumicën e taksave: E tejkaloi autoritetin e vet

Prishtinë | 29 Maj 2025 | 08:17 | Nga Ekonomia Online

Një gjykatë tregtare në Shtetet e Bashkuara përmes një vendimi e bllokoi hyrjen në fuqi të taksave të vendosura nga presidenti Donald Trump. Sipas vendimit, kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka tejkaluar autoritetin e tij duke vendosur tarifa ndaj importeve që vijnë nga partnerët tregtarë të vendit.

Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare tha se Kushtetuta e ShBA-së i jep Kongresit autoritet që ta rregullojë tregtinë me vendet e tjera, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjykatësit gjithashtu e urdhëruan administratën e Trumpit që të lëshojë urdhra të rinj që e pasqyrojnë vendimin e përhershëm brenda 10 ditëve. Disa minuta më vonë, administrata e Trumpit lëshoi një njoftim të apelit dhe e vuri në pikëpyetje autoritetin e gjykatës.

Gjykata i shpalli të pavlefshëm me efekt të menjëhershëm të gjithë urdhrat e Trumpit rreth taksave nga janari, baza e të cilave ishte në Aktin për Kompetenca Urgjence Ekonomike (IEEPA), një ligj që e ka për qëllim adresimin e kërcënimeve “të pazakonshme dhe të jashtëzakonshme” gjatë një urgjence kombëtare.

Gjykatës nuk i ishte kërkuar që të adresonte disa taksa specifike të industrisë, të cilat Trumpi i kishte lëshuar kundër automjeteve, çelikut dhe aluminit, duke përdorur një statut tjetër.

Vendimet e Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare me seli në Manhattan mund të apelohen në Gjykatën e Apelit për Qarkun Federal në Uashington D.C. dhe përfundimisht në Gjykatën Supreme.

Trumpi e ka bërë vendosjen e taksave nda importuesve prej vendeve të huaja politikë qendrore në luftërat e tij të vazhdueshme tregtare, të cilat e kanë penguar ashpërsisht rrjedhën e tregtisë globale dhe i kanë goditur tregjet financiare.

Të ngjashme