Të uriturit thyejnë deponë ushqimore të OKB-së në Gaza, katër të vdekur

Prishtinë | 29 Maj 2025 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Katër njerëz kanë vdekur, përderisa mijëra palestinezë u futën me forcë në një depo ushqimore të Kombeve të Bashkuara në Gaza, duke i prishur muret e metalta të objektit në përpjekje dëshpëruese për të gjetur ushqim.

Dy njerëz u shtypën për vdekje dhe dy të tjerë vdiqën nga plagët prej armëve të zjarrit, pasi turma arriti që të hynte në depo në Deir al-Balah të mërkurën pasdite, thanë zyrtarët shëndetësorë, raporton gazeta “The Guardian”.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse forcat izraelite, kontraktorët privatë apo dikush tjetër kishte hapur zjarr. Një spital fushor i Kryqit të Kuq tha se në mesin e të lënduarve në atë skenë kishte gra e fëmijë që kishin pësuar plagë nga armët e zjarrit.

Në disa pamje shihet turma e njerëzve duke bërtitur e duke shtyrë drejt ndërtesës, ndërsa disa të tjerë hidhnin thaës me miell e kuti te turma.

“Turmat e njerëzve të uritur e thyen depon al-Ghafari të Programit Botëror të Ushqimit në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, në kërkim të furnizimit me ushqim që ishte paravendosur për shpërndarje” – tha kjo agjenci e OKB-së në një deklaratë, duke paralajmëruar për “kushte alarmuese dhe duke u përkeqësuar në terren”.

Të ngjashme