Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës, përpjekja e 23-të me radhë për konstituim të këtij institucioni ligjvënës, raporton Ekonomia Online.
Përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.
Nga 111 deputetë të pranishëm në seancë, 55 votuan për, një kundër dhe asnjë abstenim.
Dehari bëri të ditur se seanca ndërpritet dhe se do të vazhdojë më 31 maj , në orën 10:30.
Muja: Opozita ka për qëllim parandalimin e formimit të Qeverisë Kurti
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, akuzoi partitë e tjera për bllokadën në Kuvend, duke theksuar se kanë për qëllim parandalimin e formimit të Qeverisë Kurti, raporton Ekonomia Online.
“Ne dëgjojmë shumë deklarata të opozitës që në lidhje me këto dilemat për zonjën Albulena Haxhiu, ka shumë deputetë të opozitës që nuk kishin fare dilema kur votuan për Zajednicën, për amnistimin e kriminelëve serbë në veri, kur votuan për demarkacionin dhe kur votuan për Gjykatën Speciale. Albulena Haxhiu nuk e ka votuar asnjërën prej tyre”, tha Muja.
Krasniqi: Vërtet është për keqardhje që s’ka asnjë reflektim
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të vazhdimin e sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se vërtet është për keqardhje që s’ka asnjë reflektim.
“Kanë kaluar një muaj e gjysmë prej kur ka filluar tentimi për ta konstituuar Kuvendin dhe mbi tre muaj e gjysmë prej kur janë mbajtë zgjedhjet, fatkeqësisht bllokada e inicuar dhe e mundësuar nga Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon në Kuvendin e Kosovës. Ne as sot s’kemi institucione dhe duket që s’ka as interesim e asnjë veprim që do ta nxirrte Kosovën nga situata e rëndë në të cilën kjo kryeneçësi politike e z.Kurti dhe partisë Vetëvendosje e ka futur vendin tonë.
Vërtet është për keqardhje që s’ka asnjë reflektim. Besoj që mjaftueshëm i ka mashtruar deri tash zoti Kurti, sepse ka pasur aty edhe të tjerë që kanë shfaqë ambicie me qenë kryetar apo kryetare, por duket që Albulena Haxhiu është më e rëndësishme se krejt të tjerët bashkë”, tha ai.
Bajrami për deklaratën e Kurtit : E turpshme të krahasohet protesta e bizneseve me barrikadat e Listës Serbe
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, duke komentuar deklaratën e kryeministri në detyrës Albin Kurti, tha se të krahasohet protesta e bizneseve me barrikadat e Listës Serbe është e turpshme dhe totalisht e papranueshme, raporton Ekonomia Online.
“Lexova nga mediat tuaja që Albin Kurti kishte thënë që ka kaluar koha e barrikadave. Kjo konsideroj që është e turpshme, sepse të gjithë ne e dimë se në çfarë konotacioni përdoren barrikadat.
Përderisa z. Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme për koston 800 euro të transportit të një megavati të energjisë elektrike që e bën kompania e Vuk Hamoviqit, për të cilin ai kur ishte në opozitë na edukonte neve, ai sot protestën e komunitetit të biznesit e krahason me barrikadat e vendosura nga Lista Serbe në periudha të ndryshme dhe në vende të ndryshme në Kosovë dhe kjo është totalisht e papranueshme.
Këtë betejë, sepse beteja e Albin Kurtit nuk është asnjëherë të ndërtohet diçka, po të shkatërrohet. Kurti këto 1300 biznese, nuk i mund ata individë, por e mund ekonominë e Kosovës. Dhe kur Albin Kurti e mund ekonominë dhe arsimin i vetmi përfitues këtu është Serbia”, tha Bajrami.
Haradinaj: Kemi propozuar tre emra, kemi dhënë zgjidhje pa asnjë kusht
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka folur pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se subjekti i tij ka ofruar zgjidhje pa asnjë kusht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“AAK ka propozuar tre emra si kandidatë të mundshëm dhe ka qenë e gatshme t’i votojë ata pa kushte. Ne kemi dhënë zgjidhje pa asnjë kusht, kemi propozuar tre emra Saranda Bogujevcin, Shqipe Selimin ose Glauk Konjufcën. Nëse sot do të kishim një nga këta tre emra pa asnjë kërkesë, pa asnjë kusht, ne do t’i votonim. Për këtë erdhëm edhe realisht në seancë, se mos rastësisht ka ndonjë ndryshim. Sa i përket emrit të Limajt, nuk kemi marrë ndonjë qëndrim”, tha Haradinaj.
Limaj: Marrëveshjet politike ndërtohen ndryshe
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i pyetur nga gazetarë se a mund t’ju befasojë Kurti duke iu propozuar për kryeparlamentar, tha se marrëveshjet politike ndërtohen ndryshe
“Nuk është çështje e befasive. Unë jam i gatshëm të takohem kurdo që kam ftesë. Kemi parë kafe me Glauk Konjufcën para dy dite. Kemi biseduar. Është më se normale të bashkëbisedojmë për zhvillimet, shqetësimet dhe t’i trajtojmë temat se si me dalë nga situata. Janë disa mundësi për t’u shfrytëzuar. A do të shfrytëzohen? Nuk e di.
Ne besojmë që në këtë fazë kontribut më të madh mund të japim në bashkëpunim në Kuvend. Këtë ndërtesë të parlamentit dhe të funksionimit e di goxha mire. Ditëve në vijim do të takohemi për të biseduar tema të ndjeshme. Normaliteti demokratik është kur liderët takohen. S’është me rëndësi a pajtohen”, tha Limaj.