Ambasadori britanik në OSBE, Neil Holland, ka bërë thirrje për formimin urgjent të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar shqetësimin për mbylljen e objekteve në veri që funksiononin nën sistemin serb. Në reagimin e publikuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Holland lavdëroi zgjedhjet e 9 shkurtit, por kritikoi ngecjet institucionale dhe tensionet në veri.
Ai kërkoi që Kosova të sigurojë përfshirje të barabartë për komunitetet joshumicë dhe të garantojë drejtësi për incidentet e dhunshme, përfshirë ato në Banjskë dhe ndaj KFOR-it në vitin 2023. Britania përsëriti mbështetjen për një Kosovë sovrane dhe gjithëpërfshirëse, si dhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.