Ministria e Jashtme e Izraelit i është kundërpërgjigjur presidentit francez, Emmanuel Macron, duke e akuzuar se ka filluar një “kryqëzatë kundër shtetit hebre”.
Më herët, presidenti francez paralajmëroi se “do të jemi të detyruar që ta ashpërsojmë pozicionin tonë kolektiv”, nëse Izraeli nuk bën më shumë për t’iu përgjigjur situatës humanitare në Gaza, raporton televizioni BBC.
Në një kundërpërgjigje me gjuhë të fortë në rrjetin X, Ministria e Jashtme e Izraelit shkroi: “Presidentit Macron nuk i interesojnë faktet. Nuk ka bllokadë humanitare. Ajo është një rrenë flagrante.”
“Izraeni aktualisht është duke e lehtësuar hyrjen e ndihmave në Gaza përmes dy përpjekjeve paralele” – thuhet më tej, duke e përmendur hyrjen e ndihmave përmes Kombeve të Bashkuara dhe përmes Fondit Humanitar të Gazës, që mbështetet nga ShBA-ja dhe Izraeli.
Ditëve të fundit, Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje që të lejohet hyrja e një sasie më të madhe të ndihmave në Gaza, pas lehtësimit të një bllokade 11-javore nga Izraeli.
Më herët të premten, Zyra për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare e OKB-së e akuzoi Izraelin për bllokimin e hyrjes së shumicës së ndihmave në Gaza.
Nën presion të shtuar ndërkombëtar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, para disa ditëve njoftoi se do ta lejojë hyrjen e një sasie “bazike” të ndihmave në Gaza për ta shmangur vdekjen nga uria.