Funksionalizohet Çerdhja e Fëmijëve “Albiona Asllani” në Shtime

Prishtinë | 02 Qer 2025 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Çerdhja e fëmijëve “Albiona Asllani” në Shtime u funksionalizua, pas një periudhe të gjatë jashtë përdorimit. Me një investim prej 130 mijë eurosh, objekti tashmë ofron kushte të përshtatshme për fëmijët e kësaj komune, raporton Ekonomia Online.

Gjatë ceremonisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se ky projekt është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për mirëqenien e fëmijëve.

“Puna jonë fillon nga themeli: nëse fëmijët fitojnë, fiton edhe e ardhmja. Kjo çerdhe le të jetë mbizotërim i dashurisë. Komuna e Shtimes është bërë vatër e lajmeve të mira. Sa herë ftohem këtu e di se për një projekt të mirë, ose që fillon, ose që është duke u realizuar. Çerdhja është dëshmi tjetër e përkushtimit të përbashkët për t’u përkujdesur për më të vegjlit. Jemi të vetëdijshëm që puna jonë fillon nga themelet. Për fëmijët duhet bërë me shumë sesa që është bërë për ne. 130 mijë euro për funksionalizimin e saj. Qoftë kjo çerdhe për mbizotërimin e dashurisë”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se rifunksionalizimi i kësaj çerdheje është një hap i rëndësishëm për zgjerimin e kapaciteteve në arsimin e hershëm.
Ajo shtoi se deri në fund të vitit shkollor, pritet të funksionalizohen edhe tri çerdhe të tjera.

“Është një ditë e bukur dhe e veçantë për të shënuar një mundësi më shumë për fëmijët e Komunës së Shtimes. Për më shumë se katër vjet ka qenë i pashfrytëzuar dhe tani është rifunksionalizuar Kemi tri çerdhe të përfunduara në këtë vit shkollor, ndërsa edhe dy janë në përfundim”, tha Nagavci.

Të ngjashme