Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si një fatkeqësi për vendin, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se sot, më 9 qershor, bëhen katër muaj që Kosova ka mbetur pa institucione funksionale, ndërsa qytetarët përballen me probleme të mëdha si rritja e çmimeve dhe kriza energjetike.
Sipas Deliut, Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të partisë me më së shumti mandate, ndërkohë që një qeveri në largim po vepron në mënyrë të kundërligjshme.
“Është fatkeqësi që sot me 9 qershor mbushen katër muaj që Kosova ka mbetur pa institucionet e saj, nuk besoj që edhe qytetarët që kanë pritur që bllokimi i institucioneve do të vazhdoj për muaj të tërë, problemet dhe sfidat që ka qytetari ka sot janë shumë të mëdha, dhe pamundësi që ne të adresojmë numrin më të madh të probleme prej energjisë elektrike për bizneseve, çmimet janë tepër të larta. Kosova ka mbetur në një pozicion të pa lëvizshëm për shkak të pamundësisë që Kuvendi të jetë funksional. Ndërkohë që ne kemi një qeveri në largim e cila kundërligjshëm vepron ndërkohë kuvendi vazhdon të jetë ende i bllokuar për shkak të marrjes peng nga partia që ka numrin më të madh të mandatit”, shtoi Deliu.
