Dështimeve s’po u shihet fundi, pasnesër përpjekja e 30–të për konstituim të Kuvendit

Prishtinë | 09 Qer 2025 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Dështoi edhe vazhdimi i 29-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Filloi njëjtë sikurse herët e kaluara: tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi e seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

53 deputetë votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 11 qershor, në orën 11:00.

Gërvalla: Kemi nevojë për unitet për shtet, jo për pushtet

Pas dështimit të vazhdimit të 29-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, tha se ishin dëshmitarë të një përsëritjeje të pakuptimtë të një bllokade që tashmë ka humbur kuptimin e vet, raporton Ekonomia Online.

“Bllokada do të thotë mosvotim dhe pamundëson konstituimin e Kuvendit. I bëj thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që të heqin dorë nga kjo strategji destruktive, të marrin përgjegjësi për votën e qytetarëve që kanë marrë dhe të marrin pjesë në votim. Ne kemi nevojë për unitet për shtet, jo për pushtet, dhe uniteti për shtet demonstrohet duke u konstituuar Kuvendi dhe jo duke u bllokuar”, shtoi ajo.

Krasniqi: VV po mban peng vullnetin e qytetarëve, ka tejkaluar çdo kufi të racionalitetit

Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës,
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të vazhdimit të 29-të të seancës konstituive, kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të procesit demokratik, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se qytetarët katër muaj më parë, përmes votës së lirë, i dhanë fund sundimit të një partie dhe i dhanë shumicën opozitës.
“Fiks para katër muajsh qytetarët dolën në zgjedhje të lira për të dhënë verdiktin e tyre se në çfarë drejtimi e duan vendin. Qytetarët i thanë jo sundimit të një partie të katër viteve të kaluara dhe i dhanë shumicën parlamentare opozitës. Fiks para katër muajsh është pikërisht VV-ja e cila nuk po lejon të konstituohet ky vullnet duke bllokuar këtë konstituim të Kuvendit. Është kaluar çdo kufi i racionalitetit. Kjo nuk është politikë, është tendencë për të mbajtur peng vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha Krasniqi.

Zemaj: Vetëm konsensusi politik e zgjidh ngërçin institucional

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se zgjidhja e ngërçit politik vjen vetëm përmes konsensusit me subjektet parlamentare, raporton Ekonomia Online.
“Është e kuptueshme që vetëm konsensusi me subjektet politike parlamentare dhe ata të cilët kanë vullnetin dhe të marrin guximin të kenë institucionet e reja të Kosovës e zgjidh këtë ngërç politik. Ne kemi qenë të qartë në propozimin tonë që të kemi këtë tejkalim të krizës institucionale dhe propozimi nuk ka qenë për të blerë kohën, siç po e pasqyron Vetëvendosje, por ta ketë një mundësi për qytetarët në mënyrë unifikuese, ku do të jenë tema afatgjate dhe që janë në interes të Kosovës”, tha Zemaj.

Kadrijaj: Detyrë e VV-së të sigurojë votat për kryeparlamentar, partitë e tjera s’kanë obligim të votojnë

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, pas dështimit të vazhdimit të 29-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës akuzoi Vetëvendosjen për uzurpimin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Detyrë e kësaj qeverie është të sigurojë 61 vota dhe të votohet kryeparlamentari, dhe në asnjë formë nuk kanë obligim partitë e tjera të votojnë për një kryeparlamentar që nuk ka bërë ndonjë koalicion ose marrëveshje”, tha ajo.

Izmaku: Fatmir Limaj për kryetar të Kuvendit të Kosovës

Deputetja e Nismës Socialdemokrate Xhevahie Izmaku edhe kësaj here mbrojti qëndrimin për zgjedhjen e Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Por, ajo nuk mund ta përfundojë deklaratën për media , për shkak se e pengonte avokat Arianit Koci, në kuadër të protestës së tij para Kuvendit.

Rashiq: Po ndihem keq që vij 29 herë pa rezultat

Deputeti, Nenad Rashiq, tha se ndihet keq që për herë të 29-të po merr pjesë në seanca të Kuvendit pa arritur ndonjë rezultat, raporton Ekonomia Online.
“Besoj se komuniteti shqiptar e kanë më shumë përgjegjësi sesa ne që jemi pakicë këtu. Unë vet po ndihem keq që po vij që 29 herë pa kurrfarë rezultati”, u shpreh ai.

Të ngjashme