Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
ZRRE sqaroi se ky është një rast individual, që lidhet vetëm me një kompani të veçantë, dhe nuk ndikon në të gjitha bizneset.
Ky reagim erdhi pas njoftimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila të hënën njoftoi se ka pezulluar ekzekutimin e një njoftimi të ZRRE-së, që ndalonte një kompani të caktuar të furnizohej përmes shërbimit universal.
“Në këtë rast, gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të njoftimit të ZRRE-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.
Njoftimi për daljen në tregun e hapur u është dërguar të gjitha bizneseve që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.
Këto kompani, sipas vendimit të ZRRE-së, nga data 1 qershor janë të obliguara të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë elektrike në tregun e lirë.
Komuniteti i biznesit e ka kundërshtuar vendimin për liberalizimin e tregut, duke e vlerësuar të dëmshëm për shkak të çmimeve të larta që po ofrojnë furnizuesit e licencuar. Ata kanë kërkuar që zbatimi i vendimit të shtyhet për së paku një vit.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 21 kompani për furnizim me energji elektrike, ndërsa një tjetër është në proces të licencimit.