Kërkohet paraburgim për nëntë të dyshuar për mashtrim përmes Call Center-ave

Prishtinë | 24 Tet 2026 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë të dyshuarve për mashtrim përmes Call Center-ave.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: T.S., D.M., D.H., R.H., P.R., A.P., F.Z., D.H., dhe B.E., për shkak të dyshimit të veprave penale ‘Mashtrimi’ dhe ‘Mashtrimi kompjuterik’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në periudhë kohore gjatë vitit 2026 deri me datë 23.10.2026 në Prishtinë, në lokacione të ndryshme të përshtatura dhe të shfrytëzuara si qendra të thirrjeve (call center), si në rrugën “Muharrem Fejza”, “Ali Aliu Kelmendi”, dhe lokacione të tjera të identifikuara, të pandehurit, duke vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar dhe me role të ndara, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përmes paraqitjes së rreme të fakteve, kanë vënë në lajthim të dëmtuarit – shtetasit suedezë dhe shtetas të huaj, duke i nxitur që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, me të cilën duke vepruar si anëtar të grupit kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi’ nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2026, deri më 23 tetor, të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, me role të ndara, në disa lokacione në Prishtinë të përshtatura dhe të shfrytëzuara si qendra të thirrjeve.

“Po ashtu, sipas këkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në periudhë kohore të përshkruar si në pikën I. të dispozitivit, të pandehurit duke vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar dhe me role të ndara, me qëllim të përfitimit ekonomik të padrejë për vete, përmes përdorimit të pajisjeve dhe sistemeve kompjuterike, kanë krijuar mundësinë e qasjes në distancë në kompjuterët e të dëmtuarve – shtetas të huaj, duke i vënë në lajthim përmes paraqitjes së rreme si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare, me të cilën duke vepruar si anëtar të grupit kanë kryer veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.

“Të pandehurit e lartëcekur, që nga data 23 Tetor 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartcekura”.

Të ngjashme