Ka dështuar edhe seanca e 49-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Dështimi erdhi ashtu si herëve paraprake, pra me mosarritjen e formimit të Komisionit për Votim të Fshehtë.
Ishte kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ai i cili ndërpreu menjëherë punimet, për të kumtuar se seanca e radhës mbahet të hënën, duke shënuar kështu përpjekjen e 50-të për të funksionalizuar parlamentin.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami nga foltorja e Kuvendit të Kosovës i bëri thirrje kryesuesit të seancës, Avni Deharit që të mos shkel Kushtetutën.
Anipse Behramit iu ndal mikrofoni nga Dehari, ky i fundi nuk e ndali fjalën për ta bërë thirrjen që kryesuesi të kthehet në rënd dite.
“Është mirë që të kthehuni në rendin e ditës dhe të mos e shkelni kushtetutën”, tha Behrami.
Serbeze Kabashi nga LDK ka bërë thirrje ndaj VV-së të zbatojnë rendin kushtetues.
Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari ia ndërpreu fjalën.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka marrë fjalën në seancën e sotme konstituive.
Ajo ka ironizuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke i uruar kthimin në vend kryeministrit në largim, Albin Kurti.
“Deputetë të nderuar, media, qytetarë të Kosovës, në emër të AAK-së dhe popullit të Kosovës, i dëshirojmë kthim të suksesshëm në vendlindje deputetit Albin Kurti, shpresojmë që ke kaluar mirë” – tha ajo.
Më pas, kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga regjia që t’ia ndalë mikrofonin deputetes së AAK-së.