Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar sot një kërkesë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim mbrojtjen e rendit kushtetues dhe garantimin e funksionalitetit institucional në vend.
Në një postim të bërë publik pas dorëzimit të kërkesës, ajo theksoi se ky hap nuk përfaqëson një zgjedhje politike, por një obligim kushtetues dhe moral ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Kjo kërkesë para Gjykatës nuk është një zgjedhje politike, por një obligim kushtetues dhe moral ndaj popullit të Republikës së Kosovës, i cili ka votuar për të pasur institucione funksionale”, shkroi Osmani.
Presidentja i bëri thirrje të gjitha subjekteve politike që të kontribuojnë në krijimin e një Kuvendi funksional dhe të institucioneve që punojnë në interes të qytetarëve. Ajo e cilësoi këtë moment si vendimtar për demokracinë dhe stabilitetin e shtetit.
“Interesi i vendit dhe Kushtetuta duhet të qëndrojnë mbi çdo llogari politike”, përfundoi ajo në deklaratën e saj.