Avokati Gent Gjini ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal ndaj zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, pas deklaratës së këtij të fundit se flamuri i Serbisë do të valvitet së shpejti në Prizren. Gjini e ka cilësuar deklaratën si shoviniste dhe ekstreme, duke kërkuar që Daçiqit t’i ndalohet hyrja në Kosovë dhe të shpallet person non grata, raporton Ekonomia Online.
Gjini ka njoftuar se kallëzimin penal do ta dorëzojë në protokollin përkatës të Prokurorisë Speciale, duke theksuar se deklarata e Daçiqit për Prizrenin paraqet, sipas tij, cenim të sigurisë publike dhe të rendit kushtetues të Kosovës.
“Dihet se atje janë fushatë zgjedhore dhe tani Ivica Daçiqi ka dalë me një deklaratë publike para një mase të madhe të qytetarëve, duke thënë se shumë shpejt do ta valvitim flamurin e shtetit serb në qytetin e Prizrenit. Kjo deklaratë e tillë është deklaratë që na cenon neve si popull, si shtet dhe si komb dhe na rrezikon aq më tepër, pasi që bëhet fjalë për njeriun numër dy të shtetit serb”, ka thënë Gjini.
Ai ka theksuar se një nga arsyet që e ka shtyrë të ndërmarrë këtë iniciativë është edhe fakti se Daçiqi vjen nga Prizreni, qytet ku Gjini ushtron veprimtarinë e tij profesionale.
“Unë, pasi që kam marrë iniciativën që të bëj këtë kallëzim penal, e kam edhe një arsye tjetër, pasi që Ivica Daçiqi vjen nga Prizreni dhe unë jam në Prizren dhe punoj në Prizren. Kjo deklaratë është pak shoviniste dhe ekstreme, e cila na cenon neve si komb dhe na rrezikon sigurinë publike dhe rendin kushtetues të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Gjini ka bërë të ditur se përmes kallëzimit penal synon që ndaj Daçiqit të ndërmerren masa konkrete, përfshirë ndalimin e hyrjes së tij në territorin e Kosovës, veçanërisht në komunat e banuara me komunitetin serb.
“Kam parë atë arsye dhe më së tepërmi të bëhet një kallëzim penal ndaj Ivica Daçiqit, që këtij t’i ndalohet përfundimisht hyrja në territorin e Kosovës, në veçanti në komunat e pakicës serbe, ku vazhdimisht është synimi i tyre që t’i vizitojnë dhe të krijojnë anomali atje”, ka thënë Gjini.
Avokati ka shprehur shqetësimin e tij për atë që e konsideron mungesë reagimi institucional ndaj deklaratës së zyrtarit serb. Sipas tij, fakti që deklaratat e tilla bëhen gjatë fushatave zgjedhore në Serbi nuk duhet të shërbejë si arsye për t’i trajtuar ato si të zakonshme.
“Unë jam çuditur pse institucionet e Kosovës, përkatësisht, nuk e kanë bërë punën e tyre, të paktën zyrtarisht, për ta dënuar aktin e tillë, sepse ne jemi mësuar të gjithë që, përderisa janë zgjedhjet politike parlamentare në shtetin serb dhe këto diskurset e tyre janë më shumë për konsum të elektoratit, ne i kalojmë këto si diçka normale. Një deklaratë e tillë është shumë ekstreme, është shoviniste dhe drejtpërdrejt na cenon neve si popull”, ka deklaruar ai.
Gjini ka folur edhe për pretendimet territoriale të Serbisë, duke vlerësuar se deklarata për Prizrenin përbën një shqetësim të veçantë në kontekstin e retorikës politike serbe.
“Serbët me shovinizmin e tyre shkojnë edhe me atë se pretendimet e tyre gjithmonë i kanë pasur që t’i përvetësojnë territoret e veriut, komunat veriore, pasi janë resurset minerale atje, por tani kanë shkuar deri në atë ekstremitet saqë synojnë edhe Prizrenin ta përvetësojnë dhe ta pushtojnë”, ka thënë Gjini.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për vizitat në Prizren të personave që, sipas tij, zhvillojnë aktivitete dhe propagandë politike në rrjetet sociale gjatë fushatës zgjedhore në Serbi.
“Kam parë edhe një fenomen tjetër, se në Instagramet e qytetarëve dhe të deputetëve të cilët konkurrojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, kam parë edhe ata pelegrinazhe që vijnë në qytetin e Prizrenit dhe bëjnë propagandë politike se duhet të votohet ai kandidat”, është shprehur ai.
Në këtë kontekst, Gjini u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe organeve të sigurisë që të jenë më vigjilente, duke përmendur në veçanti Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Unë, në një farë mënyre, u bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të jenë më vigjilente dhe të jenë në nivelin e detyrave. Sidomos shërbimi i inteligjencës, AKI-ja, është dashur t’i përcjellë hyrje-daljet, se kush po e viziton Prizrenin dhe për çfarë arsye e vizitojnë Prizrenin, sepse ata vijnë si pelegrinazh ta vizitojnë Prizrenin, por, në anën tjetër, në Instagramet e tyre promovojnë frymë politike dhe janë ata që në deklaratat e tyre thonë se është ‘Kosova Metohia’, për të konsumuar elektoratin në shtetin e Serbisë”, ka deklaruar Gjini.
Gjini ka kritikuar edhe mungesën e reagimit nga faktorët ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë, duke përmendur UNMIK-un, EULEX-in dhe organizatat e tjera që, sipas tij, kanë rol në garantimin e sigurisë.
“Ne kemi prezencën e faktorëve ndërkombëtarë, siç janë UNMIK-u, EULEX-i dhe forca të tjera ndërkombëtare të cilat na mbajnë sigurinë. Pra, përderisa Ivica Daçiqi thotë se do të hyjë në Prizren, pse atëherë nuk ndërmarrin edhe këta masat që të dënohet gjuha e tillë?”, ka deklaruar ai.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për mungesën e reagimit të institucioneve të Kosovës, duke përmendur ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
“Kemi parë që Glauk Konjufca, tani ministër i Punëve të Jashtme, nuk e ka ngritur këtë çështje në debatin të cilin e ka zhvilluar dje në organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe kjo është shqetësuese, se përse këto gjëra anashkalohen dhe lihen në mëshirë të fatit”, ka thënë Gjini.
Avokati ka bërë të ditur se do ta protokollojë kallëzimin penal dhe do t’i kërkojë Prokurorisë Speciale që ndaj Daçiqit të ndërmerren masa, përfshirë shpalljen e tij person non grata, duke e krahasuar rastin me atë të zyrtares serbe Snezhana Paunoviq.
“Edhe një herë, kallëzimi penal kërkon që Ivica Daçiqit t’i ndalohet të hyjë në shtetin e Kosovës. Në anën tjetër, unë prapë shpreh shqetësimin, sepse faktorët ndërkombëtarë nuk kanë bërë diçka më tepër. Tani unë do ta parashtroj këtë kallëzim penal, do ta protokolloj dhe do të kërkoj nga ana e Prokurorisë Speciale që t’i ndalohet Ivica Daçiqit hyrja dhe të shpallet person non grata, ashtu si ministrja serbe Snezhana Paunoviq, e cila veç u shpall person non grata. Në këtë mënyrë, kjo gjuhë që përdor Daçiqi, duke thënë se do të hyjë në qytetin e Prizrenit, nuk mund të konsiderohet normale, por është gjuhë që duhet të dënohet”, shtoi Gjini.
