Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk ka pranuar të flasë për grevën e punëtorëve të “Infrakosit”, të cilët që nga e hëna kanë hyrë në grevë, duke kërkuar rritjen e pagave, raporton Ekonomia Online.
Rizvanolli nuk flet për grevën e punëtorëve të “Infrakosit”

Ajo nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve pas mbledhjes së Komisionit për Ekonomi.
Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë si pasojë e grevës së punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, të cilët kërkojnë indeksimin e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Kryetari i Sindikatës së “Infrakosit”, Hysen Nikqi, ka bërë të ditur se greva përfshin të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa është pezulluar edhe qarkullimi i trenave në relacionin Prishtinë–Pejë dhe anasjelltas.
Ai ka theksuar se kjo është faza e parë e grevës, e cila është organizuar pas mungesës së reagimit nga bordi dhe menaxhmenti ndaj kërkesave të punëtorëve.
















