Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka raportuar në Komisionin për Ekonomi lidhur me Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë, në një mbledhje ku nuk ishin të pranishëm anëtarët e komisionit nga radhët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, raporton Ekonomia Online.
Rizvanolli prezanton Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë në Komisionin për Ekonomi, pa pjesëmarrjen e opozitës

Gjatë prezantimit të projektligjit, Rizvanolli tha se nisma synon avancimin e legjislacionit për përdorimin efiçient të energjisë në Republikën e Kosovës, duke e përshtatur atë me zhvillimet e legjislacionit evropian dhe nevojat e sektorit energjetik të vendit.
Ajo bëri të ditur se projektligji përafron një pjesë të konsiderueshme të Direktivës 2012/27/BE, të ndryshuar me Direktivën 2018/2002, të përshtatur për Komunitetin e Energjisë, si dhe me Direktivën 2023/1791.
“Projektligji për Efiçiencën e Energjisë avancon këtë legjislacion për përdorimin efiçient të energjisë në Republikën e Kosovës. Ai ndërtohet mbi bazën e ligjit ekzistues, mirëpo po zgjerohet me kërkesat që pasqyrojnë zhvillimet e legjislacionit evropian dhe nevojat e sektorit energjetik të vendit”, tha Rizvanolli.
Ministrja u ndal te disa prej risive kryesore të projektligjit, duke veçuar përcaktimin e objektivave kombëtare dhe mekanizmave për realizimin e kursimeve të energjisë.
Sipas saj, këto objektiva do të përcaktohen përmes Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe dokumenteve të tjera strategjike të sektorit, me qëllim të krijimit të një qasjeje më të koordinuar ndërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave.
“Për realizimin e këtyre objektivave parashikohen kursime vjetore prej 0.8 për qind të konsumit mesatar final të energjisë gjatë tre viteve paraprake, duke filluar nga viti i parë i plotë kalendarik pas hyrjes në fuqi të ligjit. Kjo është në përputhje me atë që tashmë e kemi bërë si praktikë dhe me investimet që tashmë po bëhen në efiçiencë të energjisë në Republikën e Kosovës”, deklaroi ajo.
Një tjetër çështje që Rizvanolli e cilësoi të rëndësishme është renovimi i ndërtesave publike dhe përfshirja e kritereve të performancës energjetike në prokurimin publik.
Projektligji parasheh renovimin vjetor të së paku 3 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të shfrytëzueshme të ndërtesave që ngrohen ose ftohen, të cilat janë në pronësi të institucioneve publike dhe kanë sipërfaqe mbi 250 metra katrorë.
“Parashikohet renovimi vjetor i së paku 3 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të shfrytëzueshme të ndërtesave që ngrohen ose ftohen, që janë në pronësi të institucioneve publike dhe kanë mbi 250 metra katrorë. Njëkohësisht, projektligji kërkon përfshirjen e performancës së lartë energjetike në prokurimin publik, në mënyrë që të mos kemi aq shumë nevojë për trajtim të efiçiencës dhe investime shtesë pasi të ndërtohen ndërtesat, por këto të parashikohen që në momentin e prokurimit”, u shpreh ministrja.
Ajo shtoi se institucionet kanë punuar në këtë drejtim edhe gjatë mandateve të kaluara dhe se tashmë ekziston edhe një marrëveshje ndërkombëtare, e miratuar nga Kuvendi para disa muajsh, për vazhdimin e këtyre aktiviteteve.
Rizvanolli theksoi se masat e parapara në projektligj nuk janë vetëm objektiva teorikë, por politika konkrete për të cilat, sipas saj, institucionet kanë krijuar tashmë kapacitete dhe kanë siguruar një pjesë të financimit.
“Pra, këto që po i flasim dhe që po i propozojmë nuk janë thjesht diçka të largëta dhe në teori abstrakte, por janë intervenime dhe politika për të cilat tashmë i kemi edhe kapacitetet institucionale, edhe financimin për disa prej tyre, ndërsa për disa të tjera duhet të sigurohet, si dhe përvojën e institucioneve për t’i realizuar”, deklaroi Rizvanolli.
Ministrja veçoi gjithashtu përfshirjen e varfërisë energjetike në politikat dhe programet mbështetëse, duke e cilësuar këtë si një prej risive të projektligjit në krahasim me ligjin aktual për Efiçiencën e Energjisë.
Sipas saj, kjo qasje është në përputhje me dispozitat e Ligjit për Energjinë, i cili tashmë është miratuar në parim nga Komisioni dhe ndodhet ndërmjet dy leximeve.
“Përfshirja e varfërisë energjetike në politikat dhe programet mbështetëse është diçka që është e re në këtë ligj, në krahasim me ligjin e kaluar të efiçiencës. Kjo është në përputhje gjithashtu me atë që është paraparë në Ligjin për Energjinë, të cilin tashmë e keni miratuar si komision në parim dhe është mes dy leximeve”, tha ajo.
Rizvanolli shtoi se eventualisht mund të ketë përshtatje ndërmjet dy ligjeve gjatë fazës së shqyrtimit në mes të dy leximeve, por theksoi se parimi mbetet i njëjtë: përqendrimi më i madh te varfëria energjetike dhe mbrojtja e konsumatorëve të cenueshëm.
“Parimi është i njëjtë: varfëria energjetike dhe konsumatorët e cenueshëm e kanë një rol më të madh, më saktë, ka një fokus më të madh në këtë pako të ligjeve”, u shpreh ministrja.
Një tjetër risi e projektligjit lidhet me etiketimin energjetik dhe informimin e qytetarëve gjatë blerjes së pajisjeve elektrike.
“Etiketimi energjetik dhe informimi gjatë blerjes së pajisjeve është gjithashtu diçka që tashmë është bërë praktikë me masat e efiçiencës që i kemi zbatuar në të kaluarën dhe tashmë qytetarët janë shumë më të vetëdijshëm. Mirëpo, që nga tani tregtarët do të jenë të obliguar që në momentin e shitjes së produktit t’i kenë gjithashtu etiketat e efiçiencës në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”, deklaroi Rizvanolli.
Sipas saj, kjo do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve që të informohen më mirë për konsumin e energjisë së produkteve që blejnë dhe të bëjnë zgjedhje më të përshtatshme.
Rizvanolli theksoi se projektligji shkon edhe një hap më tej, duke krijuar bazën ligjore për ekodizajnin dhe përcaktimin e kërkesave minimale të performancës energjetike për pajisjet.
“Në fakt, ky ligj shkon një hap më tej, sepse përcakton edhe ekodizajnin ose bazën ligjore për ekodizajnin dhe kërkesat minimale për performancën e pajisjeve. Çka do të thotë kjo? Përderisa deri tani ne kemi mundur t’i informojmë qytetarët ose të subvencionojmë blerjen e pajisjeve që janë efiçiente, në krahasim me ato joefiçiente, nuk kemi pasur një mekanizëm që ndalon shitjen e produkteve joefiçiente në treg”, tha ministrja.
Për ta ilustruar këtë ndryshim, ajo mori si shembull ndriçimin, duke krahasuar poçet LED me ato joefiçiente, të cilat kanë konsum dukshëm më të madh të energjisë.
“Për shembull, nëse fillojmë prej më bazikeve dhe më të lehtave, ndriçimi joefiçient në krahasim me ndriçimin LED efiçient ka konsum shumëfish më të madh. Ndërkohë që dallimi në çmim mes një poçi LED dhe një poçi joefiçient është shumë i vogël. Pra, është diçka që nuk ka dhe nuk do të ketë kosto të madhe për qytetarët”, theksoi Rizvanolli.
Ndërkaq, pas raportimit, ky projektligj u votua nga anëtarët e komisionit.












