Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj politikave buxhetore, duke theksuar se suksesi ekonomik nuk duhet të matet vetëm me shifrat e prezantuara në letër, por mbi të gjitha me ndikimin e tyre në jetën e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Hoti: Në pesë vitet e fundit, sipas ASK-së, kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45%

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se gjatë pesë viteve të fundit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45 për qind, ndërsa çmimet e shumë produkteve të konsumit familjar janë gati dyfishuar.
“Buxheti nuk matet me shifrat në letër, por me cilësinë e jetës së qytetarëve. Në pesë vitet e fundit, sipas ASK-së, kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45 për qind, ndërsa për shumë produkte të konsumit familjar çmimet gati janë dyfishuar”, ka shkruar Hoti.
Ai ka vlerësuar se rritja e çmimeve ka rënduar ndjeshëm jetën e familjeve kosovare, duke kritikuar njëkohësisht atë që e ka cilësuar si propagandë për sukses ekonomik.
“Kur çmimet dyfishohen, jeta e qytetarëve bëhet më e vështirë. Propaganda për sukses ekonomik nuk e mbush shportën e konsumit të familjeve!”, shtoi.
Sipas Hotit, Qeveria mund të prezantojë shifra miliardëshe, por gjendja reale ekonomike duhet të vlerësohet përmes kostos së konsumit familjar dhe shpenzimeve që qytetarët përballojnë çdo ditë.
“Realiteti matet me koston e konsumit familjar, matet me koston që çdo vikend familja paguan në arkën e marketeve”, ka theksuar deputeti i LDK-së.
Duke folur për diskutimin e buxhetit për periudhën 2027-2029 në Kuvend, Hoti ka kërkuar që debati të përqendrohet në ndikimin e rritjes së çmimeve në jetën e qytetarëve, përgjegjësinë institucionale dhe masat që mund të ndërmerren për lehtësimin e barrës ekonomike.
Ai ka renditur tri çështje që, sipas tij, duhet të jenë në qendër të debatit parlamentar: çfarë ka ndodhur me koston e jetesës, kush mban përgjegjësi për këtë gjendje dhe çfarë mund të bëhet për të lehtësuar barrën financiare të familjeve.











