Tri figura të veshura me kostume formale, të vendosura mbi një strukturë në formë të UFO-ve dhe të drejtuara kah objekti i Qeverisë së Kosovës, janë vendosur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, si pjesë e instalacionit multimedial “Syçkym” të artistit Eroll Murati, raporton Ekonomia Online.
Instalacioni “Syçkym” në sheshin “Skënderbeu”, tri figura drejtohen kah objekti i Qeverisë

Vepra synon të nxisë reflektim kritik mbi pushtetin, elitën politike dhe raportin e saj me qytetarët, duke e shndërruar hapësirën publike në një skenë të interpretimit artistik të realitetit politik.
Sipas përshkrimit të autorit, figurat e huaja, të paraqitura si alienë të antropomorfizuar dhe të veshur me kostume formale, simbolizojnë aktorë që operojnë brenda strukturave të njohura të shoqërisë, por që janë të distancuar nga realiteti qytetar.
Në përshkrimin e instalacionit thuhet se gjestet e figurave, veçanërisht drejtimi i gishtit, sugjerojnë kontroll, orientim dhe imponim të vullnetit, ndërsa UFO-ja paraqet një metaforë të pushtimit simbolik që ndodh nga brenda strukturave të pushtetit.
“Instalacioni ndërton një narrativë mbi pushtimin simbolik, jo nga jashtë, por nga brenda, ku lakmia për pushtet, ambicia individuale dhe instrumentalizimi i sistemit për interesa personale shndërrohen në forma të një ‘invazioni’ të ri”, thuhet në përshkrimin e veprës.
Më tej, theksohet se vepra synon ta bëjë kalimtarin pjesë aktive të interpretimit, duke ngritur pyetje mbi përfaqësimin, transparencën dhe raportin ndërmjet qytetarit dhe pushtetit.
Instalacioni “Syçkym” është vendosur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe do të qëndrojë aty nga 10 deri më 20 nëntor 2026.













