Seanca gjyqësore ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati, është shtyrë për 23 dhjetor, pasi avokati mbrojtës, Haxhi Millaku, ka kërkuar kohë për t’u pajisur me shkresat e lëndës dhe për të pasur qasje në dosjen e rastit, raporton Ekonomia Online.
Shtyhet gjykimi në mungesë ndaj Adnon Jasharit, avokati kërkon qasje në shkresat e lëndës

Millaku ka pretenduar se, pavarësisht se autorizimin për mbrojtjen e Jasharit e kishte dorëzuar që në vitin 2011, gjatë procedurës paraprake nuk i ishte mundësuar qasja në dokumentet e rastit.
Ai ka kërkuar që seanca e sotme të ndërpritej dhe t’i jepej kohë e arsyeshme për t’u njohur me dosjen.
“Autorizimin si mbrojtës i të pandehurit Adnan Jashari e kam dorëzuar në procedurën paraprake dhe këtë në kohën kur i njëjti kërkohej që të kontaktojë me policinë hetimore. Autorizimi im është i deponuar që nga fillimi, në 48-orëshin e parë, që i bie nga viti 2011 organet e ndjekjes kanë pasur adresën e mbrojtësit të tij për të përfaqësuar tani të akuzuarin në mungesë për plotësimin e parakushteve ligjore për një hetim të rregullt, të drejtë e të ligjshëm. Është cenuar edhe e drejta si kategori kushtetuese, si mbrojtës nuk jam trajtuar siç kërkon ligji. Në asnjë veprim procedural që kanë bërë organet e ndjekjes para aktakuzës së ngritur dhe asnjëherë nuk më është dhënë qasje në dokumente dhe dosjen e kësaj çështjeje, edhe pse unë sot pranova aktakuzën nga gjykata. Nuk më janë plotësuar as kërkesat që të pajisem me shkresat e lëndës. Me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi. Kërkoj që seanca e sotme nga ky moment të ndërpritet, të pajisem me shkresat e lëndës, procesi i sotëm të shtyhet për një kohë të arsyeshme”, tha ai.
Ndërkaq, prokurorja Fatmire Cacaj ka deklaruar se shkresat e lëndës i janë dorëzuar avokates Ardita Berisha, e cila ishte caktuar më herët për mbrojtjen e të akuzuarit, duke shtuar se Millaku ka pasur mundësi të interesohej për to.
“Sa i përket shkresave të lëndës, të njëjtat janë dorëzuar që nga muaji prill i këtij viti avokates Ardita Berisha që është caktuar, nga ajo kohë deri tani avokati ka pasur mundësi që të interesohet sa i përket shkresave të lëndës”, tha ajo.
Pas kërkesës së mbrojtjes dhe deklarimeve të palëve, gjyqtarja Sulltane Hoti ka aprovuar propozimin e avokatit, duke shtyrë seancën për 23 dhjetor, në orën 09:00, si dhe duke obliguar prokurorinë që të dorëzojë shkresat e lëndës.
“Aprovohet propozimi i avokatit, seanca e radhës caktohet me datën 23 dhjetor në ora 09:00. Po ashtu obligohet prokurori të japë shkresat e lëndës”, tha ajo.
Seanca po zhvillohet në kuadër të gjykimit në mungesë ndaj Adnon Jasharit, i cili akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 tetor 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Jasharit për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Diana Kastrati u vra më 18 maj 2011 në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare, teksa po shkonte në fakultet, kur u qëllua me armë zjarri.
Rasti kishte nxitur reagime të shumta publike, pasi viktima kishte kërkuar më parë urdhër mbrojtës emergjent nga institucionet, por mbrojtja nuk i ishte ofruar me kohë.












