Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim për mosraportimin e vazhdueshëm të Autoritetit të Konkurrencës para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, duke vlerësuar se kjo po cenon mbikëqyrjen parlamentare ndaj institucioneve publike.
KDI: Llogaridhënia publike duhet të bëhet standard, jo të pengohet nga vetë deputetët

Në një komunikatë për media, KDI ka kritikuar edhe veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas këtij instituti, kanë pamundësuar raportimin e institucioneve publike në Komision.
KDI ka theksuar se shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak të raportimeve për mosfunksionimin e organit kolegjial të Autoritetit të Konkurrencës që nga prilli i vitit 2025.
Sipas komunikatës, çështja e funksionimit të këtij autoriteti ishte ngritur në mbledhjen e Komisionit më 20 tetor, ndërsa raportimi i kryetares Neime Binaku-Isufi ishte caktuar për 27 tetor. Megjithatë, më 23 tetor ajo kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë dhe raportimi ishte shtyrë.
Mbledhja e paraparë për 3 nëntor kishte dështuar për mungesë kuorumi, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kishin marrë pjesë.
Ndërkaq, në mbledhjen e 10 nëntorit, para Komisionit kishin dalë dy anëtare të Autoritetit të Konkurrencës, por jo edhe kryetarja e këtij institucioni.
Për këtë arsye, deputetët e VV-së kishin propozuar largimin e kësaj pike nga rendi i ditës ose shtyrjen e saj, propozim që nuk ishte mbështetur nga opozita.
KDI vlerëson se mosraportimi i kryetares së Autoritetit dhe veprimet e deputetëve të VV-së për të pamundësuar raportimin e institucioneve publike e cenojnë llogaridhënien.
“Deputetët janë aty për të kërkuar dhe garantuar llogaridhënie për të gjitha çështjet që prekin interesin publik”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
Instituti ka rikujtuar se Kushtetuta e Kosovës, në nenin 65, paragrafin 9, përcakton se Kuvendi mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike që, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit.
Në këtë drejtim, KDI u ka bërë thirrje deputetëve që të përmbushin përgjegjësitë e tyre institucionale dhe të mos lejojnë që interesat politike të pengojnë mbikëqyrjen parlamentare.
Po ashtu, ka kërkuar që Komisioni për Ekonomi ta rikthejë sa më parë në rend dite raportimin e Autoritetit të Konkurrencës dhe të sigurojë trajtimin e çështjeve të ngritura.
“Mbikëqyrja parlamentare nuk është çështje e vullnetit politik të shumicës, por përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit. Institucionet publike kanë detyrim të japin llogari, ndërsa Kuvendi ka përgjegjësi ta kërkojë dhe ta ushtrojë këtë mbikëqyrje”, thuhet në reagimin e KDI-së.











