Shahini-AKB: Mjaft kërcënime, mos e fusni ekonominë në terr!

Prishtinë | 29 Kor 2025 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Kërcënimet e ZRRE-së, KEK-ut dhe KESCO-s janë të papranueshme dhe kërkojmë vazhdimin e furnizimit me çmim të rregullt edhe për 6 muaj, thekson Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB).

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, reagon ashpër ndaj kërcënimeve dhe paralajmërimeve të ZRRE-së, KEK-ut dhe KESCO-s, të cilat po u kërkojnë bizneseve që deri më 1 gusht të nënshkruajnë kontrata të reja furnizimi me energji elektrike, përndryshe do t’ua ndërpresin furnizimin dhe do t’i lënë në terr.

“Kjo është një formë e papranueshme presioni dhe shantazhi ndaj sektorit privat, që tashmë po përballet me çmime të larta, pasiguri ligjore dhe mungesë mbështetje institucionale.

AKB kërkon që për të paktën edhe 6 muaj të gjitha bizneset të vazhdojnë të furnizohen me çmim të rregullt të energjisë elektrike, në mënyrë që të kenë kohë të mjaftueshme për të negociuar kontrata të drejta dhe transparente, pa kërcënime dhe pa rrezikuar ndërprerje që do të dëmtonin rëndë ekonominë.

Njëkohësisht, shumë biznese tashmë i janë drejtuar gjykatave me ankesa kundër vendimeve të ZRRE-së, duke e kundërshtuar ashpër mënyrën e imponimit të këtyre kontratave dhe tarifave. Është momenti që

ZRRE të reflektojë dhe të ndalë këto veprime të njëanshme, duke u ulur në tryezë me komunitetin e bizneseve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejta.

Nuk mund të lejohet që sektori privat, që gjeneron mijëra vende pune dhe mban gjallë ekonominë, të mbahet peng nga vendime të padrejta dhe të nxituara.

AKB do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri interesat e bizneseve dhe të kërkojë politika të drejta, transparente dhe zhvillimore për ekonomin e Kosovën”, tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së.

Të ngjashme