U kritikua për paraqitje të dobëta në koncerte, këngëtari zbulon se u diagnostikua me një sëmundje

Prishtinë | 03 Gus 2025 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

Këngëtari i njohur Justin Timberlake, ka zbuluar se është diagnostikuar me sëmundjen Lyme, një infeksion bakterial që transmetohet te njerëzit përmes pickimit nga rriqrat e infektuar.

Artisti 44-vjeçar ndau lajmin përmes një postimi në Instagram, pas përfundimit të turneut të tij botëror Forget Tomorrow.

Ai është shprehur shprehur se ka qenë i “shokuar” nga lajmi, por më në fund kuptoi pse përjetonte dhimbje të mëdha nervore dhe lodhje ekstreme gjatë performancave në skenë.

“Siç e dini shumë prej jush, jam një person mjaft privat,” shkroi ai të enjten. “Por teksa reflektoj mbi turneun dhe performancat në festivale, dua të ndaj me ju një pjesë të asaj që kam kaluar. Ndër të tjera, kam përballuar disa probleme shëndetësore dhe më është diagnostikuar sëmundja Lyme, nuk e them që të ndiheni keq për mua, por për të ndriçuar pak më shumë atë që ka ndodhur pas kuintave”, shkroi ai.

Timberlake tha se e kishte konsideruar ndërprerjen e turneut, por vendosi të vazhdonte, për shkak të “gëzimit që sjell performanca”.

“Nëse keni përjetuar këtë sëmundje apo njihni dikë që e ka kaluar, atëherë e dini: jeta me këtë sëmundje mund të jetë pafundësisht rraskapitëse, si mendërisht ashtu edhe fizikisht,” shkroi ai. “Jo vetëm që i provova vetes forcën mendore, por tani kam me vete shumë momente të veçanta me ju që nuk do t’i harroj kurrë,” shtoi këngëtari, duke theksuar se po përpiqet të jetë më “transparent” për sfidat që po kalon, në mënyrë që të mos keqinterpretohen.

Timberlake kishte marrë kritika në rrjete sociale nga disa fansa për performanca të dobëta gjatë turneut, ndërsa diagnoza e tij hedh dritë mbi shkaqet që mund të kenë ndikuar.

Kjo periudhë shëndetësore vjen pas disa viteve sfiduese për artistin. Në shtator 2024, ai pranoi fajësinë për drejtim mjeti në gjendje të dehur, në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorinë.

“Është një gabim që kam bërë, por shpresoj që kushdo që më dëgjon dhe më sheh tani të mësojë nga kjo. Unë sigurisht që kam mësuar,” deklaroi ai asokohe.

Gjithashtu, Timberlake është përballur me reagime publike pas zbulimeve për marrëdhënien e tij me Britney Spears, të paraqitura në kujtimet e saj dhe në një dokumentar të veçantë.

Fitues i 10 çmimeve Grammy dhe ish-anëtar i grupit NSYNC, Justin Timberlake është një nga artistët më të shitur të të gjitha kohërave. Ai është i martuar me aktoren Jessica Biel.

Lyme është një infeksion bakterial që transmetohet te njerëzit përmes pickimit nga rriqrat e infektuar. Edhe pas trajtimit me antibiotikë, disa pacientë vazhdojnë të përjetojnë simptoma si lodhje, dhimbje trupore dhe mungesë energjie për një kohë të gjatë.

Nëse nuk trajtohet, Lyme mund të përparojë dhe të shkaktojë: Probleme neurologjike (si paralizë faciale, dhimbje të forta nervore, humbje ndjesie); Probleme kardiake, si rrahje të çrregullta të zemrës; Artrit (zakonisht në gjunjë); Çrregullime të kujtesës ose përqendrimit.

V

Të ngjashme