Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se gjatë një periudhe të shkurtër prej gjashtë orësh, nga ora 14:00 deri në 20:00, janë regjistruar gjithsej 40 vatra zjarri në të gjithë territorin e Kosovës.
Nga këto, 15 janë ende aktive, ndërsa 25 janë lokalizuar dhe kontrolluar.
Sipas Agjencisë, situata më e rëndë është regjistruar në fshatin Dumnicë, në Komunën e Podujevës.
Për shuarjen e flakëve, janë angazhuar njësitë e zjarrfikësve nga qytetet e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ndërsa është kërkuar edhe ndihmë ajrore nga KFOR-i për të menaxhuar më tej situatën.
Njoftimi:
PËRDITËSIM I RAPORTIT PËR SITUATËN ME ZJARRE
Periudha raportuese: 14:00 – 20:00
Prishtinë, 09 gusht 2025
Sipas të dhënave të pranuara në Qendrën Operative të Agjencisë, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar gjithsej 40 vatra zjarri në vend. Prej tyre, pesëmbëdhjetë (15) vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa njëzet e pesë (25) janë lokalizuar.
Situata më e rënduar është regjistruar në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, ku është kërkuar asistencë nga njësi të tjera. Në këtë operacion janë angazhuar njësitë e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ndërkohë që është bërë edhe kërkesë për ndërhyrje ajrore nga KFOR-i për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.
Menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.
Agjencia u bën apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.
Agjencia shpreh mirënjohje për përkushtimin e palodhshëm të zjarrfikësve, mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e qytetarëve.