Analisti politik, Afrim Kasolli, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (VV) pritet të ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për të pamundësuar zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe me kufizim deri në tre herë për të njëjtin kandidat.
Ai tha për Ekonomia Online se deklarimet e deritashme publike të eksponentëve të VV-së, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, tregojnë qartë mospranim të këtij vendimi.
“Nëse i referohemi deklarimeve të deritanishme publike duke përfshirë prej liderit të VV-së, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, dhe një vargu tjetër të eksponentëve të VV-së, mesazhi është i qartë se ata nuk janë të pajtimit me këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese se si e ka përcaktuar procedurën e konstituimit të Kuvendit, veçanërisht duke shpallur si antikushtetuese përpjekjen për zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni nëpërmjet votimit të fshehtë dhe limitimin deri në tri herë të të njëjtit kandidat. VV-ja, po e them në komunikatën e saj zyrtare, ka deklaruar se aktgjykimi i fundit do të thotë shkelje e Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese, e të mos flasim për eksponentët e tjerë që janë deklaruar përpjekje për ta uzurpuar vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës, për t’ua dhënë ish-partive të regjimit të vjetër në tavolinë atë që nuk ua ka dhënë populli, e të tjera e të tjera. E tërë retorika dhe gjuha politike transmeton mesazhin që VV do të tentojë në maksimum që të sabotojë, të ndërmarrë metoda e taktika subversive që do ta pamundësonin jetësimin e këtij aktgjykimi”, tha ai.
Kasolli shtoi se nëse veprimet e VV-së do të jenë në përputhje me këto deklarime publike, nuk ka dyshime që subjekti fitues i zgjedhjeve do të tentojë të pengojë zbatimin e aktgjykimit, qoftë duke e interpretuar atë sipas interesave partiake.
“Se çka do të ndodhë tash pasi të fillojnë seancat, këtë nuk mund ta themi me siguri të plotë, mirëpo realisht nëse veprimet e tyre do të jenë konform këtyre deklarimeve publike, unë nuk kam dyshime dhe dilema që ky subjekt politik, partia fituese e zgjedhjeve, në maksimum do të tentojë që ta pamundësojë zbatimin e këtij aktgjykimi. Të paktën ose të bëjë përpjekje që atë ta interpretojë sipas kutëve partiake, sipas interesave partiake, siç ka ndodhur me aktgjykimin e fundit ku gjatë gjithë kohës VV-ja mbronte tezën se veprimet e saj janë konform kërkesave të Gjykatës Kushtetuese dhe se ato po kundërshtohen nga subjektet tjera parlamentare për shkak të refuzimit për kompromis politik”, u shpreh ai.
Duke iu referuar përmbajtjes së aktgjykimit, Kasolli theksoi se është bërë e qartë se përpjekja për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë dhe oferta politike e kryeministrit Kurti që fillimisht të provohej me Albulena Haxhiun, e më pas të kalohej te një kandidat tjetër, ishte ofertë jashtë standardeve dhe normave kushtetuese.
Ai shtoi se vetëm një presion i madh politik ose diplomatik mund të ndryshojë qëndrimin e VV-së.
“Në fund mbase mund të ndikojë që ndonjë presion i madh politik, diplomatik, jo sa i përket qëndrimit të subjekteve tjera politike, por ndonjë presion i madh politik mund të ndikojë që kjo lëvizje, duke u nisur nga kalkulimi që moszbatimi do të kishte kosto dhe humbje më të madhe se sa zbatimi, mund të ndikojë që ta ndryshojë qëndrimin dhe t’i kapërdihet gjithë këto sulme politike”, tha Kasolli.
Ai gjithashtu përmendi dyshimet për legjitimitetin e vendimit pas akuzave të presidenteës Vjosa Osmani ndaj gjyqtarit Radomir Llaban.
“Tashmë është përhapur opinioni, është tentuar që të krijohet përshtypja se ky vendim është ilegal dhe rrezikon sigurinë nacionale, sepse vota kruciale e një gjyqtari të këtij institucioni është vota e një personi i cili paraqet rrezikim për sigurinë nacionale. Pra, një cenim i vullnetit demokratik, cenim i vullnetit politik e demokratik të qytetarëve të Kosovës, uzurpim i kompetencave të Kuvendit nga Gjykata Kushtetuese dhe një vendim që cenon sigurinë nacionale. Këto janë tri pika kryesore mbi të cilat është sulmuar ky vendim dhe logjikisht si mund të pritet që një subjekt politik ta zbatojë një vendim të tillë e të pajtohet me të kur në gjykimin e saj politik ai përfaqëson këto tri elemente që e cenojnë demokracinë, rendin kushtetues dhe sigurinë nacionale”, tha ai për EO.
