Pupovci për grevën e paralajmëruar nga SBASHK: S’mund të prodhojë përmbushje të kërkesave, vetëm i dëmton nxënësit dhe Sindikatën!

Prishtinë | 19 Gus 2025 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar sërish se do të ndërmarrin veprime sindikale. SBASHK-u ka përcaktuar 20 gushtin si afatin e fundit për fillimin e dialogut me Ministrinë e Arsimit.

Në rast të mungesës së përgjigjes, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut do të mblidhet për të shqyrtuar veprime sindikale, përfshirë edhe grevën. Kështu ka deklaruar në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”, nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala.

“I kemi shpalosur disa nga kërkesat dhe aty kemi marrë si vendim që nëse Ministria e Arsimit nuk e fillon dialogun deri më 20 gusht atëherë pas 20 gushtit do të mbledhet këshilli drejtues i SBASHK-ut si organi më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve dhe do analizojë gjendjen dhe mund të shkohet me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën. Si kërkesë e SBASHK-ut është që menjëherë të fillojë dialogu me Ministrinë e Arsimit me qëllim të bashkëbisedimit dhe realizimit të kërkesave të punëtorëve të arsimit, si kërkesë e tyre është edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nga korriku i vitit 2024 për pagesën e përvojës së punës ngase për 15 vitet e para është duke e paguar me 0.25 ndërsa Gjykata Kushtetuese ka sjellur si vendim të bëhet pagesa prej 0.5% dhe që nga viti 2024 të gjithë punëtorët e arsimit janë duke u dëmtuar në pagë për 4 % edhe përkundër të ngritjes enorme të cmimeve të produkteve elementare për jetesë”, shprehet Shala për “Gazeta Blic”.Në lidhje me grevën e paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka folur për “Gazeta Blic”, eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci.

Pupovci tha se në situatën aktuale me të cilën po përballet vendi pa Qeveri të përzgjedhur mundësitë për dialog janë të kufizuara për të mos thënë të pamundura.Ai tha se greva nuk ‘mund të prodhojë përmbushje të kërkesave por vetëm mund t’i dënmtojë nxënësit por edhe vetë SBASHKU-un’.

“Në kohën kur jemi pa Kuvend dhe me qeveri në detyrë mundësitë për dialog social janë shumë të kufizuara, të mos themi inekzistente. Në këto kushte, greva nuk mund të prodhojë përmbushje të kërkesave, por vetëm t’i dëmtojë nxënësit, por edhe vet SBASHK-un. Nxënësitë për shkak të humbjes së mësimit dhe demotivimit, ndërsa SBASHK-u për faktin që epilogu i grevës kursesi nuk mund të jetë në favor të anëtarësisë”, ka potencuar ai për GazetaBlic.Viti i ri shkollor 2025/2026 pritet të fillojë brenda pak ditëve dhe ende nuk kanë përfunduar përgaditjet me tekstet dhe materialet mësimore.

Të ngjashme