Idrizi: Diaspora shtylla e zhvillimit ekonomik dhe social të Kosovës, atdheu na bashkon

Prishtinë | 21 Gus 2025 | 21:31 | Nga Ekonomia Online

Në Komunën e Vushtrrisë u mbajt tryeza shkencore me temën “Roli i diasporës në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës”.

Kryetari i komunës, Ferit Idrizi, tha se bashkatdhetarët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në çdo proces të vendit dhe se atdheu është shtëpia e përbashkët që i bashkon e i frymëzon.

Ai theksoi se diaspora ka qenë gjithmonë pranë Kosovës, si në momentet më të vështira, ashtu edhe në zhvillimin e saj.

“Kosovë dhe bashkatdhetarë, sepse ardhmërinë e kemi të përbashkët, atdheu na bashkon, na frymëzon. Falënderoj që për asnjë moment nuk e harruat atdheun. Kur ishte dhimbja e thellë, kur loti rridhte pa pushim, ju e kthyet kokën nga familjet tona dhe asnjëherë nuk i ndalet shërbimet për atdheun. Bashkatdhetarët tanë kanë dhënë jashtëzakonisht kontribut të madh; asnjë proces në Kosovë nuk ka zhvilluar pa ndikimin e bashkatdhetarëve. Kjo është shtëpia jonë e përbashkët, kjo tryezë shkencore do të nxjerrë në sipërfaqe mbështetjen e bashkatdhetarëve”, ka thënë Idrizi.

Njohësi i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, theksoi se diaspora ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Ai vuri në dukje se shifra e vitit 2024 prej 1.32 miliardë eurosh është vetëm një pjesë e vërtetë e ndikimit të saj.

“Falë një aktiviteti të tillë, Vushtria është kryeqytet i Kosovës për rritje ekonomike. Kemi prekur një temë që ka rëndësi në konsolidimin e Kosovës dhe rolin e mërgatës. Në këtë kohë të inflacionit, diaspora mendon për ne dhe vepron me ne. I bëhet një padrejtësi diasporës në folim për kontributin e tyre në vitin 2024, remitenca 1 miliard e 320 milionë. Kontributi i diasporës është shumë më i lartë. Që nga viti 2000 diaspora ka dhënë kontribut nga 2 miliardë deri tani janë bërë 50 miliardë euro kontribute”, ka thënë Gerxhaliu.

Auditori nga Holanda, Nazmi Jusufi, shtoi se diaspora është një aset i madh ekonomik dhe një shtyllë e zhvillimit, duke kontribuar jo vetëm përmes remitencave, por edhe në stabilitetin ekonomik të vendit, megjithëse roli i saj shpesh mbetet i nënvlerësuar nga institucionet.

“Remitenca është vetëm një pjesë e kontributit dhe shumë domethënëse në zhvillimin e Kosovës, në stabilitetin ekonomik të vendit. Shpesh dëgjohet që diaspora është një aset i madh, i rinovueshëm ekonomik. Asetet ekonomike janë vitale, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm; nuk është vetëm remitenca. Diaspora është një shtyllë zhvillimi, është e vështirë që ne të jetojmë në dy bota, në realen dhe emocionale. Është mundur më mirë, por roli i diasporës nuk është përfillur edhe aq shumë nga institucionet”, shtoi Jusufi.

Profesori nga Anglia, Shyqri Haxha, theksoi rëndësinë e diasporës në tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Një investitor britanik për të investuar në Kosovë është i vështirë të bindet, por një shqiptar që jeton në Britani është shumë i lehtë për ta bindur. Takimi fillon me pyetjen se çfarë origjine ke, dhe aty fillon historia. Ne jemi ata që bindim politikën britanike që të ndihmojë Kosovën; janë shqiptarët që kanë bindur Amerikën dhe Britaninë. Çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës dhe qeveria lokale? Do të ishte mirë të bëjnë një plan strategjik bashkë me ekspertët e diasporës se si ta sjellin diasporën të kontribuojë më shumë. Mund të kontribuojë në sistemin edukativ, që është çelësi i suksesit. Eksperienca që diaspora sjell është e pa krahasueshme; mund të sjellim ekspertët më të mirë për të investuar në Kosovë”, tha Haxha.

Të ngjashme