Saathoff për Parkun e Inovacionit në Prizren: Shembull i bashkëpunimit të Kosovës dhe Gjermanisë

Prishtinë | 22 Gus 2025 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Sekretari Parlamentar i Shtetit pranë Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Johann Saathoff, po qëndron për vizitë në Kosovë dhe gjatë vizitës së tij në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren vlerësoi këtë projekt si një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve, raporton Ekonomia Online.

“Shndërrimi i këtij kampi të mëparshëm gjerman në një vend të inovacionit, kulturës dhe punësimit është shembull të orientuar sidomos kah e ardhmja, është një rast unik dhe shembull i bashkëpunimit tonë shumë të mirë zhvillimor, po ashtu është edhe një shenjë të bashkëpunimit tonë të suksesshëm mes dy vendeve tona dhe besimit të Kosovës në Gjermani… Isha jashtëzakonisht i impresionuar me ato që kanë ndodhur këtu, përveç se kisha lexuar tashmë, pashë me sytë e mijë se ka një sërë ndërmarrjesh, më shumë se 60 ndërmarrje të stacionuara këtu me më shumë se 430 persona të punësuar, kryesisht të rinj”, tha Saathoff.

Ai shtoi se ky projekt është shembullor për bashkëpunimin zhvillimor të dy vendeve dhe ka sjellë shumë të mira për rajonin.

“Arsimi profesional dual, të cilin e kemi themeluar dhe e kemi nisur në Kosovë, ka nxënës që në vitin e kaluar kanë diplomuar në 12 drejtime të ndryshme të arsimit profesional dhe janë kualifikuar për një profesion të caktuar. Bashkëpunimi që përmenda nënkupton edhe fokus më të shtuar në fusha të tjera si energjia e ripërtëritshme, klima, zhvillimi i qëndrueshëm urban dhe sistemi administrativ modern. Qeveria gjermane planifikon edhe në të ardhmen të jap kontributin e saj duke ndihmuar Kosovën në përpjekjet për tu përafruar me BE dhe për të forcuar rrugën drejt anëtarësimit të plotë”, tha ai.

Ministria në detyrë për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, e vlerësoi Qendrën për Inovacion dhe Trajnim si një hap të rëndësishëm për zhvillim rajonal në Ballkanin Perëndimor.

“Parku i inovacionit dhe teknologjisë është në linjë me politikat e industrisë kreative, politikat për inovacion dhe ndërmarrësi ku Kosova parasheh të integrohet në zinxhirin global të vlerës përmes zhvillimit të inovacionit të produktit, por së pari si parakusht është zhvillimi i aftësive dhe kompetencës për zhvillim, për të lidhur sa më shumë industrinë shërbyese me atë kreative për zhvillimin e inovacionit në produktet me vlerë për zinxhirin global të vlerës… Ne si shtet e shohim Gjermaninë si partner kryesor për zhvillim të shpejt dhe integrim në familjen tonë evropiane. Deri tash Kosova është e para sa i përket reformave dhe legjislacionit në politikat për rritjen e konkurrueshmërisë në vendin tonë, duke filluar me ligjet dhe investimet e qëndrueshme, ligjet për parqet industriale”, tha Hajdari.

Të ngjashme