Murati: PDK, LDK e AAK po e ruajnë pozitën e nënkryetarit për dikë të Listës Serbe

Prishtinë | 29 Gus 2025 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj refuzimit të deputetëve nga PDK, LDK dhe AAK për të votuar një deputet që nuk është i Listës Serbe si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

Murati ka theksuar se ky veprim, i cili ka ngjallur shumë debate, është një taktike që synon të ruajë pozitën e nënkryetarit për një përfaqësues të Listës Serbe, pa pasur guximin ta votojnë hapur një nga ta.

“Refuzimi i deputetëve nga PDK/LDK/AAK për ta votuar si nënkryetar një deputet që NUK është i Listës Serbe, nënkupton se PDK/LDK/AAK po e ruajnë pozitën e nënkryetarit për dikë TË Listës Serbe”, shkroi ai.

Sipas Muratit, këta deputetë po presin që çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të kenë një justifikim për mosvotimin.

“Vetëm se duke mos pasur guximin politik ta votojnë qysh tash dikë të Listës Serbe, po presin derisa çështja të shkojë në Gjykatë Kushtetuese (për këtë edhe u bënë kinse e përjashtuan nga AAK deputetin Adem Hoxha, që ai t’ia sigurojë nënshkrimin e 10-të Listës Serbe), me shpresën që Gjykata Kushtetuese i nxjerr nga situata, që pastaj të thonë se “s’patëm qare pa votu se na detyroi Gjykata Kushtetuese”, shkroi Murati.

Në lidhje me kushtetutën, Murati ka theksuar se pretendimi i opozitës se vetëm një deputet i Listës Serbe mund të zgjedhet nënkryetar i Kuvendit është i pavërtetë.

“Pretendimi i opozitës se gjoja vetëm një deputet i Listës Serbe mund të zgjedhet nënkryetar i Kuvendit se përndryshe po u shkelka Kushtetuta, është i pavërtetë. Kushtetuta e thotë që nënkryetari duhet të jetë nga radhët e deputetëve që përfaqësojnë komunitetin jo-shumicë serb, kaq. Pra nuk ka ekskluzivitet apo monopol Lista Serbe në këtë rast”, shkroi ai.

Murati gjithashtu ka rikujtuar se në vitin 2021, të gjithë 10 deputetët që përfaqësonin komunitetin jo-shumicë serb në Kuvend ishin nga Lista Serbe, por tani, në vitin 2025, situata ka ndryshuar, duke ofruar mundësi të tjera, përfshirë një deputet që nuk është nga Lista Serbe.

“Në vitin 2021, që të gjithë 10 deputetët që përfaqësojnë komunitetin jo-shumicë serb në Kuvend ishin nga Lista Serbe, pra nuk kishte opsion tjetër. Kurse tash në vitin 2025 janë 9 deputetë nga Lista Serbe dhe 1 deputet që NUK është i Listës Serbe, pra ka opsion tjetër”, thuhet në postimin e tij.

Një tjetër faktor që e bën këtë situatë të ndjeshme është sulmi terrorist i Banjskës, i udhëhequr nga Milan Radojçiq, i cili vazhdon të ndikojë në Listën Serbe dhe është një sfidë që, sipas Muratit, duhet të merret parasysh nga çdo deputet që të mos lejojë përfaqësimin e kësaj partie në pozita kyçe.

“Për më tepër, ndërmjet këtyre dy kohëve e kemi edhe sulmin terrorist në Banjskë të udhëhequr nga terroristi Milan Radojçiq, i cili ende sillet i lirë në Serbi dhe vazhdon ta dirigjojë Listën Serbe. Ky është argumenti i cili do duhej të bindte secilin deputet të Kuvendit që të mos e votojnë askë nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit”, shkroi ai.

Të ngjashme