Kandidati për Prishtinën, Uran Ismaili, ka deklaruar se në planin e tij për të drejtuar komunën më të madhe të vendit është edhe çështja e mbindërtimit.
Në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ai ka thënë se në gjashtë muajt e parë do të ndalet ndërtimi, nëse ai vetëm se del në krye të Prishtinës nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Unë kam propozuar që kësaj t’i jepet një pauzë, në gjashtë muajt e parë kam propozuar që Prishtinës t’i ndalen të gjitha lejet e reja për ndërtim. Nuk do të japë leje të reja, nuk do të marrë askush leje për ndërtim në gjashtë muajt e parë. Kemi nevojë t’i shohim planet që janë duke u ndërtuar në Prishtinë, nuk mendohet as infrastruktura, as parku, as shkolla dhe as çerdhja”.
“Qëllimi ynë është që planet që janë t’i rishikojmë të gjitha, t’i vendosim që planet të cilat janë të kenë përreth infrastrukturën e vet, të dihet se ku do të ndërtohet parkut, të dihet se ku do të ndërtohet shkolla, parku, pra të mos lejohet se çfarë është duke u ndodh. Nuk jam kundër ndërtimeve jam që banorët të kenë ndërtesa dhe jetë kualitative”, ka thënë Ismaili.