Eksperti i çështjeve të arsimit Jonuz Salihu, ka thënë se po të kishte qeveri viti i ri shkollor do të niste me greva.
Ai në emisionin “Konfront” në KTV ka deklaruar se grevat më së shumti i prekin fëmijët.
“Gëzohem që nuk kemi qeveri sepse do të kishim greva, mirë që ka filluar viti pa greva, unë nuk i pëlqej grevat në arsim për arsye se me gjithë arsyetimit që e kanë për të bërë greva ato më se shumti i prekin fëmijët, prandaj do të duhej të gjendshin mënyra të tjera, jo të preken fëmijët nga pasojat qëshkaktojnë grevat”, është shprehur Salihu.
Ai ka thënë se sa u përket librave nga vitit 2008 ka qenë një sistem të etabluar dhe që ka funksionuar mirë. Sipas tij nuk është e arsyeshme që prindërit të presin me orë nëpër librari për t’i blerë librat, në vend se ato t’i gjejnë nxënësit në bankat e tyre.
Salihu ka theksuar se nuk ka pasur arsye që kjo të ndryshojë.
Ai ka përmendur edhe raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), sipas të cilit rreth 60 mijë euro subvencione për libra në vitin 2024 kanë shkuar për persona që nuk kanë pasur fëmijë në shkollë.