Shala: Vuçiqit i duhet një Kurt këtu, janë në pushtet fal kartës nacionaliste

Prishtinë | 19 Sht 2025 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Milivoje Mihajloviq, ish-gazetar i BBC-së dhe ish-drejtor i Radio Beogradit, pati një intervistë në televizionin publik të Sllovenisë, ku foli gjerë e gjatë për bashkëpunimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Bazuar në intervistën që Mihajloviq dha, ai thotë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë bashkëpunim në heshtje, transmeton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ai deklaroi se Kurti është nxënës i mirë i Vuçiqit.

Analisti, Azdren Shala, në emisionin “Ora Shtatë”, tha se nuk është hera e parë që është thënë një deklaratë e tillë.

“Këtë deklaratë, njëjtë, identik, e ka thënë para një viti një zyrtar i BE-së, gjerman, i cili thoshte se ‘Kurti dhe Vuçiqi janë aleatë të natyrshëm, s’kanë nevojë me u marr vesh, s’kanë nevojë me ra dakord, sepse populizmat ushqejnë njëri-tjetrin’”, tha Shala.

“Ballkani prej që ka shtete kombëtare, karta kryesore që mban liderët në pushtet, është nacionalizmi. Brenda kësaj platforme politike që është krejt nacionaliste, projektohet urrejtja për tjetrin. Që i bjen, edhe Kurti veprimet që i bën në Kosovë, i shërbejnë atje Vuçiqit, s’po them se kanë kontratë me shit njëri-tjetrin, edhe Vuçiqi veprimet që i bën në Serbi, i shërbejnë Kurti në Kosovë”, tha tutje historiani.

Sipas Shalës, as Kurti e as Vuçiqi nuk kanë ide se si të qeveriset, derisa shton se ata mbesin në pushtetit fal kartës nacionaliste.

“Vuçiqit i duhet një Albin Kurt këtu”, shton tutje Shala, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa sipas opinionistit, Zejnullah Jakupit nuk ekziston bashkëpunim mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit.

Gazetari, Vullnet Krasniqi, thotë se kryeministri në detyrë i Kosovës, dhe presidenti serb përdorin “gafat” e njëri-tjetrit.

Të ngjashme